Arbëri

Serbia lëshon fletarrest për policin e Kosovës në lidhje me incidentin në veri

Policia /ilustrim

Serbia ka lëshuar fletarrest për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, për incidentin që ndodhi një ditë më parë në veri.

Siç ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, “polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.

Një ditë më parë, në veri pati reagime të shumta për mënyrën se si polici ndërhyri gjatë defilimit të maturantëve të Mitrovicës së Veriut. Gjatë ditës, politikani serb, Aleksander Arsenijeviq, publikoi një video në të cilën shihet intervenimi i Policisë së Kosovës në këtë defilim të maturantëve. Aty një polic u pa tek ndërhyn te një i ri dhe dëgjohet tek i thotë të mos ketë provokime. Në pamje shihet edhe një person që bën shqiponjën.

Teksa policia ka vlerësuar se aktiviteti ka përfunduar qetë dhe pa probleme, nga shoqëria civile në veri, autoritetet në Serbi dhe EULEX-i u konsiderua forcë e tepruar.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se polici ka vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë, të cilët, sipas tij, përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”. Sveçla publikoi në Facebook një video ku dëgjohen maturantët duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë”.