Liridon Salihi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka thënë se me shfuqizimin e pjesërishëm të Rregullores për “Prishtina Parkingun”, që nga 5 maji nuk do të mund të bllokohen apo barten veturat për shkak të mospagesës së tarifës.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Salihi ka thënë se aktvendimi i Supremes është i plotfuqishëm dhe nuk mund të atakohet.
“Nga data 5 maj ‘Prishtina Parkingu’ nuk e ka asnjë të drejtë që të vendosë më bllokada në veturat e qytetarëve. Aktgjykimi është i plotfuqishëm dhe nuk mund të atakohet më vendimi i Supremes. ‘Prishtina Parkingu’ nuk mund të bllokojë apo të bartë veturat për shkak të një mospagesë të tarifës për shfrytëzimin e parkingut publik”, ka thënë ai.

Salihi ka shtuar se Supremja konstaton që “Prishtina Parkingu” i tejkalon kompetencat duke pasur të drejtë të vendosë bllokada për vetura.
“Edhe Gjykata Supreme konstaton se dispozitat të cilat i japin të drejtë ‘Prishtina Parkingut’ të vendosë bllokada në vetura që refuzojnë apo nuk mund të kryejnë pagesën për parking, kjo kompetencë është e kundërligjshme dhe i tejkalon kompetencat që mund t’i ketë një ndërmarrje që në fund të fundit qëllimin e ka profitin komercial”, ka thënë ai.
Dispozitat që janë shfuqizuar janë neni 1, 8, 12, 22 pjesërisht. Ndërsa neni 14 dhe 15 tërësisht.