Arbëri

Rritet pasuria e politikanëve

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, disa prej të cilëve e kanë shtuar pasurinë. Milionerë ka në të gjitha institucionet. Në mesin e tre krerëve të shtetit, presidentja Vjosa Osmani ka më së shumti para të deklaruara në llogaritë bankare. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar mbi 8 mijë e 200 euro para të gatshme dhe pasurisë ia ka shtuar edhe një banesë. E, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar 401 euro para të gatshme në bankë, derisa vazhdon të jetojë me qira

Pasuria e disa politikanëve është shtuar krahasuar me vitin e kaluar, sipas deklarimit të pasurisë, të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).

Shtëpi, banesë dhe rreth 42 mijë euro në banka i ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Shefja e shtetit ka në emër të saj një banesë të papërfunduar, me sipërfaqe prej 83 metrash katrorë, në vlerë prej 42 mijë e 500 eurosh. Ndërkaq dy shtëpi dhe një banesë me garazh figurojnë në emër të bashkëshortit, njëherësh diplomat, Prindon Sadriu. Vlera e njërës shtëpi është 120 mijë euro, tjetra 180 mijë, e banesa 70 mijë euro.

Osmani ka deklaruar pagë vjetore prej 32 mijë e 922 eurosh, kurse mëditje nga udhëtimet 6 mijë e 223 euro.

Para të gatshme ka deklaruar se i ka gjithsej 35 mijë e 721 euro në njërën bankë dhe 6 mijë 774 dollarë në tjetrën.

Ndërkaq bashkëshorti i saj ka deklaruar se ka 37.855 euro në vit, të cilat i merr nga buxheti i Kosovës dhe 8.500 euro i merr qira nga patundshmëria në Adelaide të Australisë.

Në deklarata, Osmani ka specifikuar edhe borxhin prej rreth 89 mijë eurosh për shtëpinë në lagjen “Marigona Hill”, kurse 10 mijë të tjera borxh për tokën në Lagjen e Gjelbër.

Konjufca shton edhe një banesë

Tri banesa, shtëpi vikendi dhe tokë ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Pasurisë së kryeparlamentarit i është shtuar banesa në vlerë prej 44 mijë eurosh, me sipërfaqe prej 59 metrash katrorë. Sipas deklarimit, banesa është blerë me kursime dhe kredi në vitin 2021.

Me kredi dhe kursime figuron edhe banesa tjetër, e cila ka sipërfaqe prej 99 metrash katrorë dhe vlerë 89 mijë euro.

Në AKK, Konjufca ka deklaruar një banesë dhe tokë në emër të prindit. Ndërkaq 70 mijë euro është vlera e shtëpisë së vikendit, e deklaruar si e përbashkët me sipërfaqe prej 130 metrash katrorë.

Para të gatshme, Konjufca i ka 8 mijë e 243 euro, derisa obligime financiare i ka 67 mijë e 125 euro, në kohëzgjatje prej 12 vjetësh.

Paga vjetore e Konjufcës si kryetar Kuvendi është mbi 26 mijë euro, ndërsa mëditje rreth 970 euro. Ai është paguar edhe nga partia me mbi katër mijë euro.

“Të hyrat e paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje janë të hyra para marrjes së detyrës së kryetarit të Kuvendit”, ka sqaruar Konjufca në formular.

Kryeministri qiraxhi

Prej tre udhëheqësve të shtetit, më i varfëri del të jetë kryeministri Kurti.

Ai ka deklaruar 401 euro në llogarinë e tij, derisa nuk posedon ndonjë pasuri të paluajtshme apo të luajtshme në emër të tij.

Shefi i ekzekutivit e ka deklaruar pagën mujore 1 mijë e 75 euro në muaj. Ndërkaq 250 euro në muaj ka thënë se e paguan qiranë e shtëpisë, për të cilën ka dhënë edhe një sqarim.

“Banoj ne shtëpi me qira, sipas kontratës së lidhur me qiradhënësin B.Z., në afat prej 3 vjetësh, me mundësi vazhdimi edhe për një afat shtesë prej 3 vjet me kushte të njëjta, siç janë parashikuar në kontratë. Qiraja është ne shumë prej 250 eurosh në muaj”, ka shkruar Kurti në formularin e deklarimit të pasurisë.

Si pasuri të bashkëshortes, Kurti ka deklaruar një banesë me sipërfaqe prej 67 metrash katrorë në Norvegji, në vlerë prej 400 mijë eurosh. Ndërkaq 23 mijë është shumë e parave të gatshme të bashkëshortes së kryeministrit.

Pasuria e liderëve të opozitës

Keq me pasuri nuk qëndrojnë liderët e opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka deklaruar një apartament me sipërfaqe prej 110 metrash katrorë. Ai ka deklaruar edhe shtëpinë e përbashkët në vlerë 160 mijë euro. Te pasuritë e luajtshme, Krasniqi ka deklaruar bibliotekën personale në vlerë prej 13 mijë eurosh, piktura dhe vepra arti në vlerë mbi 6 mijë euro dhe veturën e bashkëshortes prej 22 mijë e 500 eurosh. Para të gatshme, shefi i opozitës i ka rreth 11 mijë euro, derisa 118 mijë euro i ka deklaruar borxh.

Paga vjetore e Krasniqit si deputet i Kuvendit është rreth 21 mijë euro.

Krasniqi po ashtu ka edhe disa lloje të kriptovalutave, përfshirë Bitcoin dhe Etherum.

E, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar shtëpinë e blerë në vitin 2014, në vlerë 200 mijë euro, dhe një shtëpi tjetër si trashëgim- 150 mijë. Mbështetur në deklarim, Abdixhiku ka trashëguar edhe tokën nga gjyshi, vlera e së cilës është 90 mijë euro. Të deklaruara i ka rreth 16 mijë euro në banka, së bashku me bashkëshorten. Në emër të bashkëshortes e ka deklaruar edhe një veturë Mercedes në vlerë 25 mijë euro. Përveç pagës së Kuvendit, kreu i LDK-së ka deklaruar se arkëton të hyra nga Kolegji Riinvest dhe Kolegji AAB.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar pasuri të paluajtshme- tri shtëpi, një vilë, një apartament dhe dy toka, vlera e të cilave është mbi 1 milion euro.

E, të hyrat vjetore të ish-kryeministrit janë rreth 57 mijë euro - prej tyre 37 mijë e 288 euro nga qiraja e shtëpisë, 2 mijë e 700 euro nga pensioni invalidor, 14 mijë e 305 euro paga dhe mëditje nga Kuvendi.

Para të gatshme, Haradinaj ka deklaruar se i ka 24 mijë e 327 euro.

Si bashkëpronar me gruan, Haradinaj ka deklaruar se nga viti 2019 ka themeluar edhe një firmë ndërtimore, adresa e së cilës është në Lagjen Marigona.

Milioneri i kryeqytetit

Nga kryetarët e komunave, më i pasuri del të jetë kryetari i Prishtinës. Në formularin e deklarimi të pasurisë, Përparim Rama ka deklaruar pasuri të paluajtshme- tri banesa, dy rezidenca, shtëpi, vilë, tokë dhe objekt biznesi. Vlera e tyre është mbi 13 milionë euro.

Mbështetur në formular, i pari i kryeqytetit posedon koleksion pikturash në vlerë prej 4 milionë eurosh, veturë Tesla që kushton mbi 83 mijë euro dhe një tjetër BM X5- 7 mijë euro. Rama ka deklaruar edhe aksione në 11 biznese dhe para të gatshme në disa banka në Londër e Kosovë. Ndërkaq detyrime financiare i ka deklaruar mbi 6 milionë euro.

“Në të gjitha bizneset deklaruesi ka paraqitur kërkesë për pezullim nga pozita e drejtorit, andaj menjëherë kur të përfundohen si proces, do t'ia paraqesë Agjencisë në deklarimin e radhës”, shkruan në sqarimin e Ramës në formular.

Sipas AKK-së, nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të lartë publikë që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4684 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani.

Ndërkaq të mërkurën, Agjencia Kundër Korrupsionit do të organizojë hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë për përzgjedhjen e 20 për qind të zyrtarëve që janë subjekte të deklarimit vjetor të pasurisë, që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë.