Pas rastit të 5-vjeçarit në Lipjan ku dyshohet se u keqtrajtua nga prindërit, avokatja Bedrie Rexhepi, ka ftuar Prokurorinë që të fillojë hetimet ndaj Qendrës për Punë Sociale në Lipjan nëse akoma nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ajo ka thënë se nuk ka asnjë logjikë deklarimi i Ministrisë së Punës kur thotë se nuk ka asnjë përgjegjësi sepse siç ka theksuar Rexhepi, përgjegjësinë ia ka caktuar ligji.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas saj është dashur që dikush të jap dorëheqje se paku morale për këtë rast.
“Nëse Prokuroria nuk ka filluar hetimet edhe në drejtim të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, i bëj thirrje t’i fillojë hetimet. Nëse ka pak ndërgjegje morale dhe institucionale dikush është dashur të jap dorëheqje. Nëse jo për ta pranuar përgjegjësinë, të paktën të bashkëndjejë me dhimbjen e atij fëmije për të cilin ne nuk e dijmë se sa gjatë e ka përjetuar atë dhimbje e që nuk ia ka pasur për borxh askujt prej akterëve që janë deklaruar. Përgjegjësia direkte është te Qendra për Punë Sociale. Por gjithashtu duhet përmendur që Qendrat për Punë Sociale në përgjithësi kanë mungesë të stafit, megjithatë ata që janë të angazhuar duhet ta kryejnë punën e tyre siç duhet. Nuk ka asnjë logjikë të thuhet nga Ministria e Punës që nuk ka asnjë përgjegjësi sepse përgjegjësinë ia ka përcaktuar ligji”, ka thënë avokatja Rexhepi.
Avokatja Rexhepi ka potencuar po ashtu se në rastin konkret kanë dështuar tri institucionet përgjegjëse duke filluar nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan për të cilën sipas saj bie përgjegjësia kryesore.
Sipas saj, fajtorë në këtë rast nuk duhet të shihen vetëm prindërit.
“Sistemi i mbrojtjes sociale dhe familjare është i organizuar në tri nivele; kemi Qendrën për Punë Sociale, kemi Komunën dhe Ministrinë. Në këtë rast kanë dështuar të trija. Fajtorët nuk duhet të shikohen vetëm te prindërit. Nëse kemi prindër që kanë pasur probleme mendore, çka duhet të komentohet më shumë”, ka thënë Rexhepi.
Hetimi nga ana e Prokurorisë sipas Rexhepit do të duhej të bëhej për neglizhencë sepse duke e parë gjendjen e fëmijës, lë të kuptohet që kjo familje nuk është vizituar për një kohë të gjatë.
“Prej momentit kur Qendra për Punë Sociale ka qenë një njohuri për atë gjendje e që duket se ka qenë që katër vite kur edhe i ka pasur fëmijët në mbikqyrje dhe ka vendosur t’i kthejë në familje është dashur të ketë një plan strategjik të monitorimit të vazhdueshëm. Duke e parë gjendjen e fëmijës na bën të kuptojmë se nuk e ka vizituar për një kohë të gjatë atë familje. Duke mos e vizituar nënkupton neglizhencë e neglizhenca nënkupton pasojë penale”, ka thënë Rexhepi.
Sipas avokates, tashmë ka bazë të mjaftueshme që prindërve në fjalë t’iu merret e drejta mbi fëmijët por sipas saj përgjegjësia do të shkojë duke u rritur. Rexhepi potencoi se edhe institucionet shkollore do të duhej të deklaroheshin se a kanë qenë duke e vijuar procesin shkollor gjashtë fëmijët e tjerë.
“Tash ka bazë t’iu merret e drejta prindërore dhe i merr shteti në mbikqyrje. Nuk e di si funksion jeta e këtyre fëmijëve nëpër Qendrat Sociale por do të doja të bëjë thirrje që të lehtësone procedurat për adaptimin e fëmijëve. Përgjegjësia do të shkojë duke u rritur sepse ne nuk e dijmë fillimisht në çfarë moshe janë ata fëmijë. Por në këtë rast institucionet shkollore do të duhej të lajmëronin nëse jo prindin, atëherë Qendrën për Punë Sociale nëse fëmijët nuk janë paraqitur në shkollë”, ka thënë Rexhepi.
Të mërkurën në një konferencë për media, Blerim Shabani, drejtor i departamentit për politika të shërbimeve sociale dhe familjare në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, ka deklaruar se përgjegjësia për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare, është e komunave dhe jo e ministrisë.
Ai tha se ministria ka kërkuar raport të hollësishëm për trajtimin e rastit, si dhe është autorizuar njësia inspektuese.
Komuna e Lipjanit paralajmëroi masa nëse vërtetohet neglizhencë nga Qendra për Punë Sociale ndërsa drejtoresha e kësaj Qendre, Makfire Shamolli deklaroi se i kanë marrë në përkujdesje edhe gjashtë fëmijë të tjerë të kësaj familjeje.
Ajo ka thënë se me këtë familje janë marrë edhe më herët pa dhënë detaje të tjera.