Arbëri

Rexhepi: Regjimi iranian zor të rrëzohet, ka forcë paramilitare prej 4-5 milionësh

abdulla rexhepi

Profesori Abdulla Rexhepi thotë se regjimi iranian është zor të rrëzohet. Sipas tij, aty luajnë rol forcat paramilitare prej miliona njerëzish.

Rexhepi ka thënë se populli ka provuar disa herë ta rrëzojë regjimin, por nuk ka mundur.

“Në Iran ka një dorë të hekurt, njerëzit kanë tentuar disa herë ta rrëzojnë regjimin dhe nuk është e lehtë. Ka disa shtresime të forcave policore, të sigurisë. Kur flasim për regjimin mediat nuk e kanë parasysh që ka një forcë paramilitare që quhet ‘Basiq’ që ka diku 4-5 milionë njerëz, ata janë paramilitarë. Informacionet për Iranin janë shumë të kufizuara”, ka potencuar ai në Konfront.


Baliqi: Irani e ka humbur fuqinë dhe ndikimin rajonal

Profesori Bekim Baliqi ka thënë se Irani e ka humbur fuqinë dhe ndikimin rajonal dhe se kjo, sipas tij, është parë pas luftimeve me Izraelin vitin e kaluar.

Ai ka shtuar se regjimi në Iran ka interes që të mos përshkallëzojë situata me protestat dhe pastaj negociatat t’i zhvillojë për blerje kohe për fuqizim të brendshëm.

“Ajo që vërehet pas sulmit të fundit dhe luftës me Izraelin, është që Irani doli shumë i dobësuar në kuptimin e kapaciteteve ushtarake dhe aftësisë politike që t’i mobilizojë aleancat. Irani e ka humbur fuqinë regjionale që e ka pasur dhe nuk është n ë nivelin e para asaj periudhës, sidomos humbja e ndikimit në Siri, Liban, Irak, vrasja e shumë gjeneralëve, krerëve të shërbimeve ushtarake e ka dëmtuar. Nuk është në pozitën që ka qenë para kësaj lufte prandaj është e gatshme për bisedime”, ka thënë ai në Konfront.


Sopi: Në Teheran kam pa Parisin, vend tejet i civilizuar

Opinionisti Agim Sopi ka deklaruar Teherani ka qenë ndër vendet më të civilizuara që ka vizituar, duke e krahasuar kryeqytetin iranian me Parisin dhe duke theksuar nivelin e lartë arsimor dhe kulturor të popullatës.

Sopi ka thënë se në çdo revolucion ekzistojnë dy kampe dhe se rreziku për shkatërrim të shtetit dhe luftë civile rritet kur popullata është e ndarë. Sipas tij, regjimet, sado të sofistikuara, e kanë të vështirë të mbijetojnë kur përballë tyre del i gjithë populli.

“Kur regjimi shndërrohet në një anë të istikameve dhe krejt populli në anën tjetër, është goxha vështirë me mbijetu”, u shpreh ai në “Konfront” të KTV-së.

Duke folur për identitetin e popullit iranian, Sopi theksoi se ata nuk janë arabë, por persë, një nga popujt më të vjetër në botë, me traditë të gjatë qytetërimi. Ai ndau edhe përvojën e tij personale nga një vizitë në Teheran në vitet ’90.

“Kam qenë në Teheran në një festival dhe atje e kam parë Parisin. Ka qenë ndër vendet më të civilizuara që kam parë në jetën time”, ka thënë Sopi.

Ai vuri në pah nivelin e lartë të arsimimit dhe inteligjencës së popullatës iraniane, duke theksuar se shumë qytetarë flisnin tri apo katër gjuhë dhe kishin specializime profesionale. Sipas tij, degradimi i një shoqërie të tillë ka ndodhur në mënyrë të befasishme.

“Një popullatë e tillë me u degradu ka ndodh befasishëm, i kanë prerë në besë”, theksoi ai.

Sopi akuzoi gjithashtu Evropën se ka pasur rol në rrënimin e civilizimit iranian, duke thënë se kjo ka ndodhur nga frika se përgatitja dhe tradita e Iranit do të mund të ndikonte në vendet arabe, ku ndodhen rezervat kryesore të energjisë.


Shtufi: Interneti në Iran u ndal për t’i fshehur masakrat

Pal Shtufi

Opinionisti Pal Shtufi ka deklaruar se ndërprerja e internetit dhe energjisë elektrike në Iran është bërë me qëllim të fshehjes së masakrave gjatë protestave, duke theksuar se regjimi iranian ka një sistem sigurie shumë të fuqishëm dhe të konsoliduar ndër vite.

Shtufi ka thënë se, pavarësisht se Irani njihet si regjim kriminal, ai ka arritur të mbijetojë për më shumë se katër dekada falë një strukture të fortë të sigurisë dhe investimeve të vazhdueshme për ruajtjen e pushtetit.

“Është shumë i shtresum sistemi i sigurimit të tyre. Kanë përvojë të gjatë në pushtet, mbi 40 vjet dhe kanë investu më së shumti për me e rujt pozicionin e tyre”, ka deklaruar ai në Konfront të KTV-së.

Sipas tij, protestuesit kanë pak gjasa të arrijnë objektiva madhore, pasi po përballen me një aparat shtetëror të fuqishëm dhe të mbyllur.

“Nuk pres që protestuesit me arrit ndonjë qëllim të lartë. Po përballen me sistem të fortë, një lloj guace e mbyllur që ka mbijetu gjatë”, u shpreh Shtufi.

Ai theksoi se populli iranian e ka të vështirë të çlirohet pa ndihmë të jashtme, ndërsa Perëndimi, sipas tij, ka ofruar vetëm përkrahje verbale.

“Perëndimi ka bërë veç përkrahje verbale, pa ndonjë sinjal për diçka më konkrete”, ka thënë ai.

Duke folur për ndërprerjen e internetit dhe rrymës, Shtufi ishte i prerë se kjo ka qenë një masë e qëllimshme.

“Ajo ditë që u vendos me u ndal interneti, është vendos me ndodh masakrat. Interneti dhe pastaj rryma u ndal për t’i fshehur masakrat”, përfundoi opinionisti.


Rexhepi: Faktorët e jashtëm e dëmtuan protestën në Iran, regjimi do të fitojë

abdulla rexhepi

Profesori Abdulla Rexhepi ka thënë se faktorët e jashtëm e kanë dëmtuar protestën në Iran. 

Sipas tij, protestat aktuale do të përfundojë në interes të regjimit iranian. 

“Protesta kanë filluar, janë kundër gjendjen ekonomike që ka rezultuar nga sanksionet që u janë aplikuar Iranit nga shtetet perëndimore dhe kanë filluar protestat. Por së fundmi janë implikuar edhe faktorë të jashtëm që kohët e fundit e kanë dëmtuar shumë lëvizjen, protestat”, ka thënë ai në Konfront. 

Rexhepi ka theksuar po të kishin qenë protestat paqësore në Iran, do të kishin pasur rezultat më të mirë. 

“E kanë dëmtuar sepse kanë përdorur dhunë dhe protestuesit e dhunshëm nuk janë më të fuqishëm se dhuna e pushtetit. Pushteti i ka të gjitha mekanizmat dhe është shumë më i fuqishëm. Po të kishim qenë paqësore, si në fillim, ndoshta me një përkrhaje morale dhe ndërkombëtare do të kishte pasur rezultat shumë më të madh se tani”, u shpreh ai.