Në kohën kur Kosova është duke u ballafaquar me ngërç institucional ndërsa në Serbi është duke u rritur retorika nacionaliste, njohës të çështjeve politike kanë vlerësuar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve duket i largët. Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, e ka theksuar mungesën e vullnetit politik te të dy palët, teksa ka paralajmëruar edhe për rrezik nga destabilizim i situatës në veri të Kosovës. Ai ka sugjeruar se prioritet për Kosovën duhet të jetë anëtarësimi në NATO, në një kohë kur vëmendja e SHBA-së dhe e BE-së është e përqendruar diku tjetër
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë rrezikon që të kthehet në pikën zero, ka paralajmëruar eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer.
Pas më shumë se një dekade negociatash, marrëveshjesh të pjesshme dhe tensionesh të vazhdueshme, procesi i normalizimit është futur në një qorrsokak të thellë.
Serwer ka thënë se së fundmi, retorika nacionaliste e shpërfaqur edhe gjatë protestave studentore në Serbi si dhe paaftësia e politikanëve në Kosovë për t’i formuar institucionet, po e bëjnë të pamundur çdo përpjekje serioze për dialog.
Në kohë kur Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) duket se kanë humbur ndikimin e dikurshëm, Serwer ka sugjeruar që prioritet i Kosovës të jetë anëtarësimi në Aleancën Veriatlantike të NATO-s, përpara se situata të rrëshqasë drejt një krize të re sigurie.
“Normalizimi tashmë ka ngecur. Retorika nacionaliste nuk do të ndihmojë për ta rifilluar. Procesi ka dështuar deri tani. Por sigurisht ka hapësirë për rimëkëmbje – nëse Beogradi dhe Prishtina vendosin që ta bëjnë këtë”, është shprehur Serwer, duke iu referuar protestave të fundit në Serbi e gjatë së cilave janë shfaqur mesazhe anti-Kosovë.
Eksperti amerikan për Ballkanin ka vlerësuar se me rritjen e tensioneve të brendshme në Serbi dhe me paralizën institucionale në Kosovë, mundësitë që qeveritë respektive të përfshihen seriozisht në dialog gjatë muajve të ardhshëm janë minimale.
“Dyshoj se ndonjëra palë është e interesuar. As Vuçiqi dhe as Kurti nuk po tregojnë gatishmëri, ndërkohë që Evropa dhe SHBA-ja janë të fokusuara në çështje të tjera”, ka thënë ai.
E analisti Lulzim Veliu ka theksuar se mundësitë për normalizim mes dy vendeve janë humbur prej vjetësh.
“Nuk e besoj se do të ketë një dialog të mirëfilltë pa konstituimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, pra duke filluar nga Parlamenti e pastaj edhe nga Qeveria. Të gjitha këto janë pengesa për dialogun, pengesa për të gjitha proceset, e sidomos për dialogun, i cili tanimë është zgjatur e stërzgjatur”, është shprehur ai. “Mendoj se Kosova nuk ka arritur ta shfrytëzojë momentumin politik të katër vjetëve të udhëheqjes kur në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kemi pasur presidentin Biden dhe ka qenë mundësia shumë e mirë për të arritur një marrëveshje. Të paktën Marrëveshjen të cilën në parim e kanë pranuar të dyja qeveritë, si Kosova ashtu edhe Serbia, pra marrëveshja që njihet si franko-gjermane, marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve”.
Protestat studentore në Serbi, të cilat kanë nisur me kërkesën për përgjegjësi lidhur me vdekjen e 16 njerëzve në Novi Sad, së fundi kanë kulmuar me thirrje për mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë, me Kosovën si pjesë përbërëse të saj.
Në protestën e 28 qershorit të mbajtur në sheshin Slavija në Beograd, janë parë edhe pankarta me flamur dhe me një hartë të Kosovës, në ngjyrat e flamurit të Serbisë, në të cilën shkruante: “S’ka dorëzim”.
Profesori universitar në Serbi, Millo Llompar, i njohur për pikëpamjet e tija të krahut të djathtë, ka përçuar mesazhe nacionaliste teksa ka thënë që në Kushtetutën e Serbisë “Kosova e Metohia është një pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”. Ai e ka përmendur po ashtu mbrojtjen e sovranitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, të popullit serb në Mal të Zi dhe të drejtat kombëtare serbe në Kroaci dhe në Maqedoninë e Veriut. Edhe një nga përfaqësuesit e studentëve në bllokadë, i cili e ka lexuar programin e lëvizjes studentore, ka folur për “respektimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Serbisë, Kushtetutën, neutralitetin ushtarak dhe mbrojtjen e popullit serb në Kosovë e M dhe në rajon”.
Tek i ka komentuar këto ngjarje, analisti Veliu ka thënë se në Serbi nuk ka fare vullnet për dialog dhe se në këtë gjë kanë ndikim shumë arsye.
“Vullnet nga Serbia nuk ka pasur asnjëherë dhe këtu duhet vetëm një fuqi e madhe, siç janë vendet e Bashkimit Evropian apo ndoshta edhe Shtetet e Bashkuara, që do ta detyronin atë për të arritur deri te një marrëveshje. Për fatin tonë të keq, në periudhën katërvjeçare, nuk është punuar drejt dhe nuk është punuar ashtu siç duhet. Dhe në një farë mënyre duket se sikur politika kosovare i ka shkuar për shtati Serbisë, për të neglizhuar gjithë procesin e negocimit dhe mosarritjen e normalizimit. Në këto momente, kur ata përballen me problematika të mëdha të brendshme, po u lëkundet pushteti, në Serbi nuk janë fare të interesuar për të shkuar drejt një marrëveshje finale”, ka thënë ai.
E Serweri ka theksuar dallimin thelbësor në dialogun që ka nisur si teknik dhe që ka vazhduar si politik.
“Dialogu politik ka dështuar. Por dialogu për çështje teknike ka qenë shumë më i suksesshëm”, ka potencuar Serwer.
Ai ka paralajmëruar po ashtu për përpjekje të mundshme të Serbisë për destabilizimin e veriut të Kosovës, ndonëse ka vlerësuar se deri më tash institucionet e sigurisë në Kosovë dhe misionet ndërkombëtare e kanë menaxhuar situatën.
“Forcat e sigurisë së Kosovës dhe ndërkombëtarët kanë vepruar me sukses deri më tani. Por Serbia do të përpiqet sërish të destabilizojë veriun”, ka theksuar Serwer.
Për sa i përket rolit të SHBA-së dhe të BE-së, Serwer është shprehur skeptik për ndikimin e tyre të tanishëm, porse ka thënë që beson se një qasje më e koordinuar ndërkombëtare mund ta ringjallë procesin, me një theks të ri për objektivat afatgjate të Kosovës.
“SHBA-ja dhe Evropa kanë prioritete të tjera. Qëllimi kryesor i Kosovës tani duhet të jetë anëtarësimi në NATO”, ka thënë Serwer.
E Veliu nuk pret që në të ardhmen të arrihet ndonjë marrëveshje, e cila do t’i plotësojë kërkesat e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
“Me presidentin Trump unë jam më se i sigurt që dialogu nuk do të shkojë në këtë mënyrë dhe është shumë e mundur që në rast se futen Shtetet e Bashkuara dhe implikohet edhe vetë presidenti Trump në dialog, ka shumë gjasa që në tavolinë të kthehet sërish marrëveshja për ridefinimin e kufirit në mes të dyja vendeve apo shkëmbimi i territoreve, siç ka qenë e njohur. Në Kosovë duhet të krijohen sa më shpejt që është e mundur institucionet dhe të vazhdohet linja e dialogut, ashtu siç ka qenë në Bashkimin Evropian. Kjo do të ishte ndoshta rruga më e mirë për Kosovën dhe për gjetjen e një zgjidhjeje dhe të krijohet mundësia që Kosova të punojë më tepër rreth integrimeve euroatlantike, por edhe në zhvillimin ekonomik”, ka theksuar Veliu.
Bashkësia ndërkombëtare është duke bërë përpjekje që ta rikthejë stabilitetin në dialog, mes një rritjeje të ndjeshme të tensioneve muajt e fundit dhe mungesës së besimit të ndërsjellë mes palëve, e cila e ka shoqëruar gjithë procesin e negociatave.
Lidershipi i ri në BE pati paralajmëruar se bashkë me emisarin e ri për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, dhe me palët do të shtjellohen mënyrat se si dialogu të bëhet më produktiv.
Pavarësisht letrës së Serbisë që ia pati bërë të qartë Brukselit zyrtar se nuk i zbaton pikat e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, sipas zyrtarëve të BE-së Marrëveshja është fakt dhe duhet të zbatohet.
Mbështetje dialogut të lehtësuar nga Brukseli i kanë ofruar edhe Shtetet e Bashkuara, me gjithë kërkesën e përsëritur të Kosovës që ajo të përfshihet vetë në proces.