Kosova renditet e 99-a në botë nga 180 shtete në indeksin vjetor të 2025-s për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij

Është viti i dytë radhazi që në këtë indeks Kosova shënon rënie, ku në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në vendin e 75-të.

Në indeks, Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-a, Mali i Zi i 37-i, Maqedonia e Veriut 42-ta, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-a.

Në raport thuhet se liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve.

Thuhet tutje se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.

“Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave, iu nënshtrua një reforme legjislative kontraverse që rrezikon të pengojë më tej pavarësinë e tij. Para zgjedhjeve të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot nga qeveria, e cila kërcënoi edhe pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën  presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacion publik, veçanërisht në gjuhën e tyre”, thuhet në raport.

Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale dhe se "akuzohen padrejtësisht për 'bashkëpunim me armikun', retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare".

"Në vitet e fundit, shumë gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjete kriminale dhe po ashtu për shkak të tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë kanë qenë cak i përgjimeve. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, ato rrallë rezultojnë me ndjekje penale", u tha në raport.

Ligji për KPM-në i miratuar vitin e kaluar parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro. Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi ligjin pasi gjeti se disa nene nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.

Murati: AGK-ja është dashur të mbajë konferencë para zyrave të ndonjë oligarku, jo Qeverisë

43 min. më parë / 2 maj 2025 17:45
Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është dashur që konferencën për media pas publikimit të raportit për lirinë e shtypi nga organizata Reporterët pa Kufij ta mbante “para zyrave të ndonjë oligarku që kontrollon media, e jo para qeverisë”.

Në një shkrim në Facebook, Murati ka thënë se është i pasaktë pretendimi se liria e medias është më keq në Kosovë se në Serbi. “Është madje qesharake të pretendohet kështu”, ka shkruar ai.

Murati ka thënë se në përmbajtje, raporti e thotë atë që e thonë edhe zyrtarët qeveritarë.

“’Mediat financohen nga reklamat e sektorit privat, dhe në disa raste edhe nga autoritetet KOMUNALE apo PARTITË POLITIKE. Për më tepër, PËRMES PRONARËVE TË TYRE, redaksitë e mediave private janë të ekspozuara ndaj NDËRHYRJEVE nga grupet e fuqishme të BIZNESIT DHE POLITIKËS.’ Pra edhe raporti po thotë që pronarët e mediave private, ndërhyjnë në mediat e tyre për të shtyrë përpara axhenda për parti politike apo për biznese të caktuara. Me fjalë tjera, konferencën e sotme AGK-ja është dashur ta mbajë para zyreve të ndonjë oligarku që kontrollon media, e jo para qeverisë”, ka thënë tutje Murati.

Në konferencën për media, AGK-ja e cilësoi shokuese renditjen e Kosovës në indeks sivjet. Raporti sivjet Kosovën e listoi në vend të 99-të nga 180 shtete. Në indeks, është hera e dytë rresht që Kosova përjetoi rënie. Sivjet Kosova është më keq se shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Koci për raportin e lirisë së medias: Pjesë e luftës speciale kundër shtetësisë së Kosovës

1 o. më parë / 2 maj 2025 17:01
Arianit Koci

Avokati Arianit Koci e ka cilësuar pjesë të një lufte speciale të vazhdueshme kundër shtetësisë së Kosovës, rënien e Kosovës në renditjen e indeksit vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij.

Koci ka thënë se askush që e njeh realitetin nuk e beson që Kosova është më keq se Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bosnja, në lirinë e shtypit. Në një shkrim në Facebook, Koci ka thënë se synimet e raporteve që e pozicionojnë Kosovën jo si në realitet, janë me qëllim që t’i dëmtohet imazhi.

“Sipas Reporterëve pa Kufij, Serbia renditet më lart se Kosova në indeksin e lirisë së shtypit për vitin 2025: Serbia në vendin e 96-të, Kosova në të 99-in. Më poshtë se Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bosnja. Askush që e njeh realitetin nuk e beson këtë. Sepse në Kosovë, gazetarët flasin lirshëm. Qeveria dhe opozita kritikohen çdo ditë. Protestat nuk ndalohen. Askush nuk burgoset për mendimin ndryshe. Kosova nuk është e përsosur. Ka sfida reale. Por liria e fjalës ekziston. Ky raport nuk është thjesht një gabim teknik. Është pjesë e një lufte speciale të vazhdueshme kundër shtetësisë së Kosovës. Goditje të buta në dukje, por me synime të rënda: të dëmtohet imazhi i Kosovës, të relativizohet e vërteta, të barazohet një demokraci funksionale me një regjim autoritar”, ka shkruar ai.

Koci ka numëruar vrasjet e gazetarëve në Serbi për të treguar gjendjen e lirisë së mediave atje. Ai ka thënë se aty mediat janë nën kontroll të pushtetit dhe opozita trajtohet si armik i brendshëm.

Avokati ka thënë se Kosova duhet ta mbrojë veten përballë “renditjeve të shtrembëruara”.  

“Nëse nuk e mbrojmë të vërtetën tonë – do ta shpikin të tjerët për ne”, ka thënë ai.

Mustafa: Kurti s’do të vinte në pushtet pa përkrahjen e shumë mediave

1 o. më parë / 2 maj 2025 16:46
Isa Mustafa

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka reaguar pas rënies së Kosovës për 24 vende në indeksin e lirisë së mediave të publikuar nga organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, duke e quajtur shqetësuese gjendjen aktuale dhe duke akuzuar Qeverinë Kurti për përgjegjësi direkte.

“Qeveria aktuale në detyrë, dorën në zemër, nuk do të vinte në pushtet pa përkrahjen dhe lobimin e shumë mediave, herë herë jashtë çdo kriteri etik dhe profesional”, ka shkruar Mustafa në Facebook. Ai shtoi se qytetarët “nuk votuan për rezultatet”, por për “perceptimin që ua krijuan mediat”.

Mustafa ka shkruar edhe për ndryshimet e sjelljes mediatike në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke thënë se disa media përkrahën subjektet opozitare, jo për shkak se i kanë dashur, por nga frika ndaj, siç e quajti ai, “regjimit autoritar të VV-së”.

Ai bëri thirrje për më shumë profesionalizëm dhe përgjegjësi brenda komunitetit mediatik, duke theksuar se “jo vetëm pushteti i Kurtit e ka dëmtuar fjalën e lirë dhe demokracinë, por edhe vetë mediat që e kanë zëvendësuar profesionalizmin me adhurim politik”.

“Konsideroj se pak më shumë sjellje profesionale dhe përgjegjësi për fjalën e lirë do të bëjë punë që mediat të evitojnë lopatat e politikës. Pasojat i bartë Kosova”, përfundoi Mustafa.

Kosova është renditur në vendin e 99 nga 180 shtete në indeksin vjetor për lirinë e shtypit për vitin 2025, duke shënuar rënien më të madhe krahasuar me një vit më parë, kur ishte në vendin e 75-të.

Kryeziu: S’ka mungesë të lirisë së shtypit, ka rënie të standardit të mediave

1 o. më parë / 2 maj 2025 16:29
Perparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se në Kosovë nuk ka mungesë të lirisë së shtypit, por rënie të standardit të mediave, në ditën kur u publikua raporti i Reporterëve pa Kufij, që sivjet Kosovën e listoi në vend të 99-të nga 180 shtete.

Në indeks, është hera e dytë që Kosova përjetoi rënie.

“Në Kosovë nuk ka pasur, as nuk do të ketë mungesë të lirisë së shtypit. Për këtë është meritore shoqëria. Ajo çka shohim ndër vite është rënie e standardit të medieve. Kur ky standard në rënie ballafaqohet me kundërpërgjigje si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet që janë subjekte të raportimeve joprofesionale, ato cilësohen si sulme dhe kërcënime, që pastaj përfshihen në raporte ndërkombëtare si ky i Reporterëve pa Kufi”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.

Sivjet Kosova është më keq se shtetet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, sipas Kryeziut, renditja nuk është pasqyrim korrekt i situatës.

“Me gjithë respektin për Organizatën e Reporterëve pa Kufi dhe pavarësisht hapësirave në të cilat Kosova mund të përmirësohet, kjo renditje nuk është pasqyrim korrekt i situatës në vendin tonë. Kosova jo që nuk mund të jetë më keq se Serbia, por ajo gëzon dukshëm më shumë liri të mediave në rajon e gjetiu”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.

PDK për raportin e Reporterëve pa Kufij: VV ka instaluar regjim linçimi e frikësimi

4 o. më parë / 2 maj 2025 13:42
Blerta Deliu-Kodra

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për "regjim linçimi dhe frikësimi", pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, në të cilin Kosova është renditur e 99-a në mesin e 180 vendeve, ose 24 vende me ulët se vitin e kaluar.

Në një komunkatë të PDK-së thuhet se Deliu-Kodra, në një konferencë për media, ka thënë se kjo është një nga momentet më të errëta në historinë e shtetit të Kosovës.

“Sot, të dhënat e publikuara nga Reporterët pa Kufij e rendisin Kosovën në vendin e 99 nga 180 shtete në botë për lirinë e shprehjes. Kjo është renditja më e ulët në historinë e Kosovës. Një rënie e turpshme, dramatike dhe alarmante: nga vendi 56 në vitin 2023, në vendin 75 në vitin 2024, për të përfunduar sot në vendin e 99-të! Dhe raporti nuk lë asnjë dyshim: për këtë katandisje është përgjegjëse qeveria e Vetëvendosjes. Ata që erdhën në emër të ndryshimit, po e katandisin Kosovën në vend të frikës dhe heshtjes. Këtë rënie e kemi ndjerë të gjithë. E kanë ndjerë gazetarët që janë sulmuar. E kanë përjetuar qytetarët që janë linçuar. E kanë përballuar aktivistët dhe profesionistët që janë shpifur publikisht vetëm pse guxojnë të mendojnë ndryshe. Rënia e nivelit të lirisë së mediave, nuk është rrëshqitje por rrënim i qëllimshëm. Vetëvendosje ka ndërtuar një regjim linçimi dhe frikësimi. Sulme të koordinuara, të orkestruara, me një makineri propagande që targeton çdo zë kritik, veçanërisht në rrjetet sociale”, citohet të ketë thënë Deliu-Kodra. 

Ajo thuhet se ka deklaruar se Kosova është viktimë e një pushteti të keq, duke shënuar rënie në çdo indikator ekonomik, social dhe të sigurisë.

“Dhe nëse dikur kemi qenë dakord për një gjë me Albin Kurtin – ka qenë kjo: që Aleksandar Vuçiq është autokrat. Por sot, kur Kosova renditet më keq se Serbia në lirinë e shprehjes – duhet të pyesim me zë të lartë: Nëse liria e fjalës në Kosovë është më e kufizuar se në Serbi, atëherë çfarë i bie të jetë Albin Kurti? Kjo është pyetje që e sfidon ndërgjegjen e çdo qytetari. Kjo është pasqyra ku secili nga ne duhet ta shohë realitetin. Në fund të fundit, një pushtet që frikësohet nga fjala, është një pushtet që e di se nuk ka të drejtë. Dhe çdo pushtet që nuk ka të drejtë, nuk ka të ardhme. Ne jemi këtu për ta thënë këtë të vërtetë. Dhe do ta themi çdo ditë. Derisa e vërteta të bëhet pushtet. E fjala e lirë të bëhet sërish themeli i Republikës”, citohet Deliu-Kodra.

AGK: Rangimi në indeksin e lirisë së shtypit është shokues

5 o. më parë / 2 maj 2025 13:21 Nga: Ekonomia Online
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, e ka cilësuar si shokues renditjen e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit, ku ka rënë për 24 vende nga viti i kaluar.

Rexha tha se AGK e sheh këtë si reflektim nga qeverisja e Albin Kurtit.

“Në emër të Bordit jemi mbledhur për ta shprehur qëndrimin tonë për rënien alarmuese të Kosovës në Reporterët pa Kufij. 24 vende më poshtë se vitin e kaluar pasi Kosova kishte rënë 19 vende më poshtë. Një rangim shokues, vendi i fundit më së keqi në Ballkan, dhe renditen disa prej arsyeve. Ligji kontestues i KPM-së që e kemi kundërshtuar nga fillimi. Etiketimet se janë bashkëpunëtorë të armikut, dhe të njëjtat po zhvillohen edhe sot. Tjetër element është mungesa e pavarësisë së RTK, siguria e gazetarëve mbetet problem, përmendet në këtë raport, rritja e padive SLAPP, dhe vëzhgimi i paautorizuar i gazetarëve”, tha Rexha.

Ai shtoi se Qeveria  Kurti ka qenë vazhdimisht kundër mediave dhe se kjo është vërtetuar edhe me Ligjin për KPM-në, që pastaj u rrëzua nga Kushtetuesja.

“AGK-ja e vlerëson këtë renditje si rezultat, reflektim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar, fushatë e qeverisë së Kosovës, të udhëhequr kundër mediave. Klima e tyre është kundër mediave. Gjuha absolutisht frikësuese që ka kulmuar prej muajit nëntor-dhjetor, me afrimin e fushatës, edhe pas saj. Është momenti i fundit të reflektojmë si shoqëri, AGK-ja është e interesuar dhe bënë thirrje që në fakt të bëhemi bashkë, nëse është e nevojshme duke formuar edhe task-forcë për të adresuar këto gjetje, për të adresuar lirinë e mediave në Kosovë dhe sigurinë e gazetarëve”, tha Rexha.

Rexha shtoi se menjëherë pas publikimit të raportit dhe deklaratës, janë parë një sërë sulmesh ndaj AGK-së, por edhe ndaj tij.

“Jemi mësuar, por nuk duhet të mësohemi. Nuk kemi nevojë që me emër e mbiemër të jemi target i njerëzve me pushtet. I dënojmë këto targetime. VV-ja duhet t’i adresojë gjetjet, para 2 vitesh ishte mirëpritur nga qeveria dhe VV-ja, e tash duhet që raporti të lexohet”, tha ai.

Ai propozoi formimin e një task force për të adresuar gjetjet e këtij raporti, teksa shtoi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë për këtë.

“Nuk kemi parë asgjë, në maj ndodhte raporti, në korrik ai u miratua. Gjuha që përmendej e papranueshme ndaj gazetarëve, vetëm u përshkallëzuar. Moment i reflektimit është për këdo që ta ndryshojë këtë. VV-ja vetëm duhet të ndalojë së targetuari gazetarët. Jemi të vetëdijshëm që ka liri të shprehjes, luftojnë çdo ditë për të, ajo që raporti vë në pah, e renditja është kaq e ulët për shkak të këtyre ndërhyrjeve”, shtoi Rexha.

LDK: Regresi në lirinë e medias është pasojë direkte e qeverisjes së VV-së

6 o. më parë / 2 maj 2025 12:28
LDK-Selia

Photo: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se raporti i Reporterëve pa Kufij ku Kosova paraqitet e 99-a në indeksin për lirinë e medias është tregues alarmant i përkeqësimit të mjedisit mediatik në vend.

LDK-ja ka bërë përgjegjëse Qeverinë Kurti për rënien e pozitës së Kosovës në këtë indeks. 

“Ky regres i theksuar është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti. Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij. Raporti i RSF-së thekson ndërhyrjet politike në mediat publike dhe presionet ndaj mediave private, duke përmendur emërimin e personave të afërt me pushtetin në pozita kyçe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave të pavarura”, ka thënë përmes një reagimi në Facebook. 

LDK ka shtuar se institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe funksionimin e lirë të mediave.

“Linçimet e mediave nga Vetëvendosje dhe eksponent të saj si dhe praktikat e ndërhyrjes në pavarësinë e mediave duhet të ndalen e ndalohen menjëherë”.

 


 

Kurti s’përgjigjet për raportin për lirinë e medias, truprojat e tij shtyjnë gazetarët

6 o. më parë / 2 maj 2025 12:14
kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka refuzuar t’u përgjigjet gazetarëve lidhur me raportin e Reporterëve pa Kufij, ku Kosova renditet e 99-a në indeksin për lirinë e medias.

Ai është pyetur nga mediat për raportin derisa po kthehej në Qeveri nga një aktivitet që u m bajt në sheshin “Skënderbeu”.

Kurti ka kaluar përskaj gazetarëve duke mos iu përgjigjur për raportin. Ndërsa, mbrojtja e tij e afërt është parë duke i kapur gazetarët nga dora dhe duke i shtyrë.  

Ambasada gjermane: Raporti për lirinë e medias, tregues për hapat që duhet t'i bëjë qeveria e re

6 o. më parë / 2 maj 2025 11:55
Gjermania dhe Kosova

Ambasada gjermane në Kosovë ka thënë se raporti i Reporterëve pa Kufij, ku Kosova renditet e 99-a për lirinë e shtypit, është tregues për qeverinë e re për hapat që duhet të ndërmirren për të pasur liri të shtypit.

“Kosova ka rënë për 24 vende më poshtë në indeksin e ri të Reporterëve pa Kufij, duke e vënë në fund në raport me rajonin – madje edhe pas Serbisë. Ky raport është si tregues për qeverinë e re, që përshkruan qartë hapat e nevojshëm për të pasur liri të shtypit, i cili është thelbësor për çdo demokraci të gjallë dhe të qëndrueshme”, thuhet në reagim.

Është viti i dytë radhazi që në këtë indeks Kosova shënon rënie, ku në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në vendin e 75-të. Në indeks, Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-a, Mali i Zi i 37-i, Maqedonia e Veriut 42-ta, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-a.

Në raport thuhet se liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve. Thuhet tutje se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.