Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, të martën, ka shkarkuar nga detyra rektorin e këtij universiteti, Ismet Temaj. Njoftimi lidhur me këtë çështje është publikuar në ueb faqen e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
“Në mbledhjen e mbajtur më 6.7.2021, Këshilli Drejtues i Universitetit ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, me votim të fshehtë, me 5 vota pro, një kundër dhe një abstenim, shkarkoi nga detyra Rektorin e Universitetit Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj”, thuhet në këtë njoftim.
Aty nuk janë bërë të ditura arsyet që kanë çuar deri te vendimmarrja e autoritetit kryesor qeverisës të Universitetit.
Këshilli Drejtues i UPZ-së përbëhet nga shtatë anëtarë me të drejtë vote. Sipas dispozitave të statutit të këtij universiteti për shkarkimin e rektorit nevojitet shumica e kualifikuar e dy të tretave të votave të anëtarëve.
Ismet Temaj ishte zgjedhur rektor i Universitetit "Ukshin Hoti" në Prizren në maj të vitit 2019, me votimin unanim të anëtarëve prezent të Këshillit Drejtues.