Në Klinikën e Otorinolaringologjisë, pritjet për ndërhyrje kirurgjikale në gjëndër tiroide po zgjasin me vite. Në atë të Endokrinologjisë kanë bërë të ditur se numri i të prekurve me këtë sëmundje ka shënuar rritje, teksa në Ambulancën Specialistike të Endokrinologjisë thanë se rritja e rasteve është shënuar kryesisht te gratë, ndërsa alarmuan për gjithnjë e më shumë të rinj e adoleshentë të prekur
Më shumë se dy vjet detyrohen të presin pacientët që duhen t’i nënshtrohen operimit për gjëndër tiroide në Klinikën e Otorinolaringologjisë.
Në këtë klinikë, mjekë specialistë që merren me rastet e komplikuara në fushën e laringologjisë dhe në trajtimin kirurgjik të gjëndrës tiroide janë vetëm tre.
E një pacient, që foli në kushte anonimiteti, i tha KOHËS se nga personeli i klinikës është njoftuar që për një termin për largimin e gjëndrës, pritja mund të zgjasë me vite.
“Më është thënë se lista e pritjes është e gjatë dhe duhet të pres radhën. Për këtë arsye kam caktuar termin në një spital privat, ku edhe aty duhet të pres, por jo me vite”, tha ai.
Listën e gjatë të pritjes e konfirmuan edhe në Klinikën e ORL-së.
“Në përgjigje të kërkesës suaj, sipas njoftimit zyrtar nga Klinika e ORL-së, aktualisht në listën e pritjes për ndërhyrje në Repartin e Laringologjisë ndodhen 348 pacientë. Klinika po punon vazhdimisht që brenda një afati sa më të shkurtër kohor të reduktojë listën e pritjes”, thuhet në përgjigjen e klinikës.
KOHA kontaktoi edhe dy spitale private për ta parë kohën e pritjes për këto ndërhyrje. Në njërën thënë se pritja zgjat rreth dy muaj, teksa në tjetrën, tre.
Diagnostikimi i pacientëve me sëmundje të gjëndrës tiroide bëhet në Klinikën e Endokrinologjisë në QKUK. Drejtoresha e kësaj klinike, Merita Emini-Sadiku, tha se është rritur edhe numri i personave të prekur me këtë sëmundje.
“Numri i të sëmurëve me sëmundje të tiroides është duke u rritur, sepse është duke u rritur diagnostika e hershme dhe qasja në informim e popullatës për këto sëmundje është më e lartë, me ç’rast pacientët më herët kërkojnë ndihmën e mjekut”, tha Sadiku.
E drejtoresha e Ambulancës Specialistike të Endokrinologjisë, Ardiana Perjuci, thotë se viteve të fundit, rritja e rasteve është shënuar te gratë si dhe në mesin e të rinjve dhe adoleshentëve.
Ajo i tregoi edhe faktorët që ndikojnë në këtë.
“Anamneza familjare pozitive për sëmundje të gjëndrës tiroide, predispozita gjenetike për sëmundje autoimune (Hashimoto, Graves); mungesa e jodit në ushqim që shkakton strumë, hipotiroidizëm, marrja e tepërt e jodit mund të nxisë hipertireozë, faktorët mjedisorë si ekspozimi ndaj rrezatimit, kemikale të ndryshme, ndotësit mjedisor, infeksionet virale, stresi fizik ose emocional i zgjatur, medikamente të ndryshme”, tha ajo.
Perjuci foli edhe për simptomat që i shtyn pacientët për kontroll.
“Pacientët paraqiten më shpesh për lodhje të vazhdueshme, shtim ose rënie në peshë, çrregullime të ritmit të zemrës, nervozizëm, rënie të flokëve, çrregullime menstruale, ndjeshmëri ndaj të ftohtit ose nxehtësisë, çrregullime në jashtëqitje. Shpesh këto sëmundje munden të zbulohen edhe gjatë analizave rutinore në fillim te shtatzënisë apo pengesave për të ngelur shtatzëne, ndjeshmërisë se ju ka ngelur diçka në fyt apo zmadhimit në pjesën e përparme të qafës”, tha ajo
Edhe në ambulancë specialistike ajo tha se dominon numri i rasteve me probleme të gjëndrës tiroide.
“Vërehet rritje e ndjeshme e numrit të vizitave që lidhen specifikisht me gjëndrën tiroide dhe që kërkojnë ndjekje afatgjate. Përafërsisht 50-60 % të pacientëve që kërkojnë trajtim në ambulancat tona janë me probleme të gjëndrës apo që shpesh shoqërojnë edhe sëmundjet tjera endokrinologjike”, ka treguar Perjuci.
KOHA kërkoi statistika për rastet dhe nëse është bërë ndonjë studim mbi arsyet e shtimit të tyre nga Instituti i Shëndetit Publik. Në këtë institucuon thanë se raporti për vitin 2025 ende nuk është hartuar teksa më 2024 janë evidentuar 35 raste me hipertiroidizëm, nga mosha 15-vjeçare e lartë. Sipas IKPSHK-së, me hipotiroidizëm vitin e shkuar kanë qenë 126 diagnoza, prej tyre një nën 15 vjeç dhe 121 raste mbi 15 vjeç.
Hipertiroidizmi është gjendje kur gjëndra tiroide prodhon më shumë hormone sesa normalja, teksa hipotiroidizmi është kur kjo gjëndër prodhon më pak.