Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Qeveria po bllokon ndërtimin e “Ishullit Urban”, ndërsa po i jepet leje biznesit privat

Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për bllokim të qëllimshëm të projektit “Ishulli Urban Arbëri – Pallati i Rinisë”, duke thënë se punimet e Komunës po ndalen, ndërsa bizneseve private po u jepen leje për ndërtime.

Në një reagim në Facebook të enjten, Rama deklaroi se projekti synon të lidhë rreth 30 mijë banorë me qendrën e qytetit dhe të ofrojë edhe siguri më të madhe për qytetarët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ishulli urban që lidh 30,000 banorë me qendrën po bllokohet. Një platformë që jo vetëm lidh dy pjesë të qytetit, por shërben edhe për siguri, po bllokohet qëllimisht”, ka shkruar Rama.

Ai shtoi se Komuna e ka ndarë buxhetin, e ka përfunduar projektin dhe ka nisur punimet, por sipas tij institucionet qendrore kanë ndërhyrë për t’i ndalur ato.

“I ndalojnë punimet e Komunës, ndërsa biznesit privat i jepet leja. Ky seleksionim kallxon sa hipokritë janë”, deklaroi ai.

Rama akuzoi Qeverinë se po i “bllokon 500 mijë banorë për interesa politike” dhe kërkoi nga Prokuroria që të merret me këtë çështje.

“Prishtina nuk ka me mbet peng i bllokadave të kësaj qeverie. Nuk lejoj që qytetarët e Prishtinës me u blloku prej njerëzve të paaftë dhe dashakqij”, ka thënë ai.

Komunës së Prishtinës iu ndaluan punimet në nëntor të vitit 2024 për “Ishullin Urban Arbëri – Pallati i Rinisë”, projekt me vlerë rreth 6.4 milionë euro.

Punimet kishin nisur pa pëlqimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, pasi projekti prek Pallatin e Rinisë dhe Sportit, i cili gëzon statusin e monumentit, si dhe zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.

Sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, Komuna nuk kishte respektuar procedurat ligjore për marrjen e pëlqimeve të nevojshme para nisjes së punimeve.

Më pas, Komuna kishte zhvendosur punimet në lagjen Arbëria dhe kishte aplikuar për pëlqim, por projekti ishte refuzuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve me arsyetimin se është duke u hartuar Plani i konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe se projekti duhet të rishikohet.

Një nga kundërshtimet lidhet edhe me faktin se “Ishulli Urban” kalon nëpër hapësirën e paraparë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore, në fuqi që nga viti 2006, përcakton se për çdo ndërhyrje në pronat e trashëgimisë kulturore duhet të merret pëlqim nga institucioni kompetent, në këtë rast Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

LEXO EDHE: