Të mërkurën, Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka hyrë në javën e pestë prej kur nuk ka mbajtur mbledhje. Që nga 18 qershori, kjo trupë nuk është mbledhur, pavarësisht raportimeve për mungesë ilaçesh e dyshimeve për kurdisje të tenderëve
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor e Klinik Universitar me gjithë problemet me mungesë barnash në Qendrën Klinike Universitare, në spitalet rajonale, si dhe me tenderët nuk ka mbajtur mbledhje qe katër javë.
Neni 8 i Rregullores së brendshme përcakton që bordi të mblidhet së paku një herë në muaj, e deri para katër javëve kjo trupë është mbledhur çdo javë.
KOHA ka raportuar se QKUK-ja e spitalet rajonale po përballen me mungesë ilaçesh bazike, pastaj për kancer, si dhe me mungesë të materialit për hemodializë. Po ashtu janë ngritur dyshime edhe për kurdisje të tenderëve për sigurimin fizik të objekteve të QKUK-së.
Këto e as çështje të tjera nuk janë shqyrtuar nga Bordi Drejtues, që mbledhjen e fundit e ka mbajtur më 18 qershor. Gjithnjë në rend të ditës është edhe raportimi i drejtorit të përgjithshëm, Elvir Azizi.
Bordi Drejtues nuk është mbledhur as për ta emëruar kryesuesin e ri, pasi atij të deritashëm, neurologut Dren Boshnjaku, mandati njëvjeçar i ka përfunduar më 20 qershor.
Anëtarët e Bordit Drejtues nuk janë përgjigjur në pyetjen e KOHËS se pse nuk janë takuar teksa institucionet shëndetësore po kalojnë fazë të vështirë.
E hulumtuesja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, e vlerëson shqetësuese mosmbledhjen e Bordit Drejtues në këtë situatë.
“Fakti që ky menaxhment nuk është mbledhur për një muaj tregon dy gjëra ose paaftësinë komplet të këtij menaxhmenti, këtij bordi ose varësinë nga menaxhmenti dhe unë më shumë besoj që është kjo e dyta, për shkak se pjesa më e madhe e anëtarëve të bordit ashtu siç është edhe me ligjin për shëndetësi janë punëtorë të drejtorit aktual në kuptimin që vijnë nga spitalet, qoftë spitalet sekondare apo terciar siç është SHSKUK-ja dhe ata nuk arrijnë ta ruajnë pavarësinë në vendimmarrje, pavarësinë në mbikëqyrje karshi drejtorit Azizi. Dhe ne fatkeqësisht kemi degradim të bordit sepse viteve të kaluara bordet janë mbledhur shumë më shpesh, nuk e di pse kjo paralizë ose gjysmë paralizë e bordit në raport me menaxhementin”, ka thënë Ramaj.
Ramaj po ashtu ka theksuar nevojën për ndryshim të përbërjes së bordit.
“Rregulloret e brendshme të SHSKUK-së përcaktojnë se bordi do të duhet të mblidhet të paktën një herë në muaj dhe fakti që në muajin kur kemi më së shumti raportime dhe më së shumti raportime ky bord nuk e ka gjetur të udhës të mbajë qoftë edhe një mbledhje të themi online, për mua është një sinjal i qartë dhe përbërja e tillë e bordit nuk do të duhej të vazhdonte funksionin, sepse duket sikurse SHSKUK-ja është bllokuar dhe bordi nuk po tenton ta zhbllokojë dhe ta bëjë 100 për qind funksional në kuptimin e misionit dhe rolit që ka dhe reformës që është proklamuar në fillim”, ka deklaruar ajo.
Sipas Ligjit për Shëndetësi, Bordi Drejtues i SHSKUK-së i përgjigjet Qeverisë nëpërmjet ministrit të Shëndetësisë. Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë ofruar përgjigje nëse kanë kërkuar sqarime nga kjo instancë për mosmbajtjen e mbledhjeve.