Arbëri

Qeveria synon rritjen e efikasitetit të administratës publike me strategji të re

Mangësitë e shumta të konstatuara ndër vite në raporte vendore dhe ndërkombëtare sa i përket funksionimit të administratës publike, Qeveria synon t’i adresojë përmes strategjisë së re për reformën në këtë dikaster. Problemet me administratën kanë ndikuar edhe që vendi të ngecë edhe në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se me gjithë kornizën e duhur ligjore, problem mbetet zbatimi i saj edhe në fushën e administratës

Një varg masash planifikon t’i ndërmarrë Qeveria në njërin prej sektorëve më të kritikuar ndër vite. Ato janë paraparë në strategjinë e re për reformën në administratën publike, e cila është në proces të miratimit nga Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithëse nuk parashihet reduktim i stafit të administratës, që sipas raporteve vendore e ndërkombëtare është i stërngarkuar, Qeveria planifikon rritjen e efikasitetit në ofrimin dhe modernizimin e shërbimeve administrative.

Në dokument fillimisht konstatohen mangësitë e shumta në funksionimin e administratës.

Aty citohet raporti i fundit i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Evropë (SIGMA), i publikuar në fund të vitit 2021, ku theksohet se progresi në fushën e zhvillimit dhe koordinimit të politikave ka shënuar rënie krahasuar me vlerësimin e fundit të vitit 2017. Sipas raportit, korniza ligjore dhe institucionale për planifikim dhe koordinim të politikave kryesisht ekziston, mirëpo zbatimi i planifikimit dhe koordinimit të mirëfilltë është joadekuat dhe mesatarja e fushës është nën mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Sipas vlerësimit të SIGMA/OECD, Kosova në pjesën ku përfshihet parimi i ofrimit të shërbimeve vlerësohet me notën 2.5 nga 5 sa është caku dhe 3.1 sa është mesatarja në shtetet fqinje duke theksuar se ka pasur një progres të ngadalshëm për sa i përket përmirësimit të ofrimit të shërbimeve dhe transformimit digjital. Kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve vazhdon të jetë e ulët dhe po bie nga viti në vit”, shkruan në strategji.

Moszbatimi i ligjit

Sistemi i rekrutimit të bazuar në merita është problem tjetër.

“Edhe pse Ligji për Zyrtarët Publikë hyri në fuqi në qershor 2020 dhe legjislacioni sekondar e procedurat përkatëse të rekrutimit janë miratuar, ‘asnjë rekrutim në institucionet e administratës shtetërore bazuar në këtë ligj nuk ka ndodhur që nga hyrja në fuqi e tij. Po ashtu, krijimi i një departamenti qendror efektiv të rekrutimit u vonua dhe kapaciteti i këtij departamenti mbetet i kufizuar Gjatë kësaj kohe, lëvizja paralele është bërë instrumenti i vetëm për plotësimin e pozitave brenda shërbimit civil”, thuhet në dokument.

Klasifikimi i vendeve të punës është një sfidë dhe problem tjetër i identifikuar në këtë fushë. Në nëntor të vitit 2020, Qeveria e Kosovës kishte miratuar rregulloren për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil për të përcaktuar klasat për secilën kategori të shërbimit civil, emërtesat e pozitave për çdo klasë, përshkrimin e përgjithshëm për secilën kategori, si dhe procedurën e klasifikimit të pozitave të punës.

Në fushën e llogaridhënies dhe të transparencës, sfidat dhe problemet kryesore janë kryesisht në zbatim të dobët të kornizës ligjore për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, qasja në dokumente publike përfshirë publikimin e të dhënave nga Qeveria dhe zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga institucionet e administratës publike. Mosefikasiteti i llogaridhënies menaxheriale përmendet së është prezent, në veçanti në raport me agjencitë në kuadër të ministrive dhe Qeverisë.

Kosova është vendi i vetëm në rajon me numrin më të madh të agjencive ekzekutive nën Kuvendin e Kosovës.

“Kjo ka minuar ndarjen e pushteteve në mes të Kuvendit dhe Qeverisë të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Plani i veprimit për racionalizimin e agjencive është përgatitur dhe miratuar nga Qeveria në mes të vitit 2018, pas një rishikimi të agjencive të bërë nga Ministria e Administratës Publike (MAP), i publikuar në fund të vitit 2016”, thuhet në strategji.

Për shkak të situatës politike, zgjedhjeve të shpeshta dhe ndërrimeve të Qeverisë, projektligji për valën e parë është rishikuar dhe miratuar së fundi nga Qeveria dhe pritet të miratohet përfundimisht edhe në Kuvend. Ligji për valën e dytë të agjencive është miratuar në Qeveri dhe është proceduar për procedura parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

“Megjithatë, plani i veprimit për racionalizimin e agjencive përmban shumë agjenci të tjera të cilat duhet fillimisht të rishikohen/analizohen, e pastaj të propozohen ndryshimet legjislative për to konform analizës paraprake”, shkruan në dokument.

Vështirësitë për t’iu qasur shërbimeve

Problematike konsiderohet edhe qasja në shërbimet administrative të personave me aftësi të kufizuara. Edhe pse përbën synim strategjik të njëjtë, nuk është duke u zbatuar në praktikë. Kjo më së shumti shpërfaqet te qasja në ndërtesa publike, por edhe në shërbime elektronike te disa kategori të personave që janë në pamundësi të marrjes së këtyre shërbimeve.

Një tjetër barrierë, e cila kufizon të drejtën e personave në marrjen e shërbimeve është kostoja e lartë e shërbimeve.

“Pothuajse të gjitha shërbimet që ofrohen nga administrata janë me pagesë, përderisa disa prej tyre bazohen në konceptin privat të ofrimit të shërbimeve. Për më tepër, mospagesa e tarifave të shërbime në shumicën e rasteve është shkak për refuzimin e kërkesës, ndërsa rastet e tjera nëse kërkesa refuzohet, pagesat nuk kthehen”, thotë dokumenti.

Mbështetur në këto konstatime, strategjia për reformën në administratën publike 2022-2026 është e ndërtuar mbi katër fusha kryesore - Planifikimi dhe koordinimi i politikave; Shërbimi publik dhe menaxhimi i burimeve njerëzore; Llogaridhënia e transparenca dhe Ofrimi i shërbimeve.

Përfaqësues të shoqërisë civile e vlerësojnë të domosdoshme miratimin e një strategjie të tillë, por që sipas tyre, problemet zakonisht hasen në zbatim.

“Fillimisht si dokument strategjik përfshin të gjitha ato gjetjet që janë bërë nga raportet më prestigjioze, duke përfshirë në këtë rast ‘Sigma OECD’. Përndryshe strategjia është një kombinim mes parimeve të Sigmës dhe gjetjeve që ata i kanë bërë në dy vjetët e kaluar. Është një pasqyrim i mirë dhe adreson të gjitha ato gjetje. Veprimet dhe objektivat janë goxha të strukturuara mirë dhe të bazuara në realitet, nuk janë kushedi sa ambicioze. Presim që të miratohet sa më shpejt që është e mundur dhe qëllimi i fundit është që kjo të zbatohet në praktikë”, ka thënë Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Por, dokumenti nuk parasheh edhe reduktim të stafit të administratës për shkak të mbingarkesës.

“Procesi i reformës nuk është proces që përfundon në një fazë të caktuar. Janë goxha të sakta këto gjetje, ndoshta është e mbingarkuar, por për të marrë veprime të sakta dhe të duhura, fillimisht duhet bërë një rishikim funksional, ndoshta i të gjitha institucioneve për të parë se ku është ajo mbingarkesë reale. Personalisht nuk mendoj që në pjesën e shërbimit civil ka mbingarkesë. Ndoshta në institucionet e tjera mundet me pas, por pa pasur një fizibilitet, analizë funksionale të secilit institucion është pak problem me fol për zvogëlimin dhe reduktimin e administratës publike në kuptim të numrave”, ka thënë Shamolli.

Ngecjet e konstatuara nga Komisioni Evropian

Ngecja të shumta në adresimin e reformës në administratën publike ka konstatuar edhe Komision Evropian në raportin e fundit për Kosovën.

“Kosova vazhdon ta ketë njëfarë përgatitjeje për reformën në administratën publike. Nuk është shënuar përparim në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar për shkak të ndryshimeve të shpeshta të qeverisë, të cilat ndikuan në funksionimin e administratës publike dhe ngadalësuan zbatimin e reformave. Ligji për zyrtarët publikë ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2020, por nuk ka pasur përpjekje të konsiderueshme për të filluar zbatimin e tij, veçanërisht sa i përket rekrutimit”, thotë raporti i Komisionit Evropian për vitin 2021.

Sa i përket ofrimit të shërbimeve, Shamolli (GLPS) ka thënë se është i saktë konstatimi se ka defekte të mëdha. Ai vlerëson se duhet të punohet në disa drejtime.

“Fillimisht të fokusohemi në zbatimin e ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, e cila në vetvete jep një garanci dhe përmirëson dukshëm të drejtat e interesat e ligjshme të personave. Duhet të vazhdohet me harmonizimin e ligjeve të veçanta me këtë ligj, sepse ligjet e veçanta janë duke e mbytur zbatimin efektiv të këtij ligji”, ka potencuar Shamolli.

“Zvogëlimi i barrës administrative është një element tjetër për individë dhe biznese, për të cilët Qeveria ka ndërmarrë një iniciativë, pra ka hartuar programin për të. Digjitalizimi i shërbimeve është një segment i fundit, por që duhet të bëhet me kujdes dhe t’i paraprijë thjeshtëzimi administrativ fillimisht, pastaj të kalohet në digjitalizim”.

Pas finalizimit të procesit të konsultimit publik të Strategjisë së Reformës së Administratës Publike, 2022-2026 planifikohet që kontributet e pranuara të shqyrtohen nga grupi punues dhe ato të reflektohen në strategji.