LAJMET E MBRËMJES

Themelorja vendos ta rihapë shqyrtimin gjyqësor për ish-drejtorin e AKI-së

Trupi gjykues në rastin “Gylenistët” ka vendosur ta rihapë shqyrtimin gjyqësor në ditën kur ishte e paraparë të shpallej aktgjykimi. Gjykata Themelore në rigjykimin e rastit për ish-drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, ka konstatuar se duhet të grumbullohen dokumente shtesë për të arritur deri te një aktgjykim për rastin

Në ditën kur ishte paraparë të shpallej aktgjykimi për Driton Gashin, ish-shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është rihapur shqyrtimi gjyqësor në rastin që njihet si “Gylenistët”.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, në arsyetim të vendimit, tha se trupi gjykues ka nevojë për prova shtesë për ta ndriçuar çështjen penale. 

Driton Gashi është dënuar më 2023 me katër vjet e tetë muaj burgim, porse në fund të vitit të shkuar, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim sa i përket pikës 1 të dispozitivit, ndërsa e ka vërtetuar lirimin e dy të akuzuarve të tjerë. 

Nga aktakuza asokohe u patën liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Prokuroria Speciale pretendon se Gashi duke tejkaluar detyrën e tij zyrtare u përfshi në dëbim, përfshirë edhe në aspektet që kanë të bëjnë me dërgimin e të dëmtuarve në Turqi. 

Sipas aktakuzës, Gashi i paraqiti si rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës shtetasit turq, ndërkohë që ata nuk ishin të tillë. 

Dëbimin e gjashtë shtetasve turq e pati kritikuar bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që atë e pati përgëzuar Turqia, e cila i akuzoi ata si pjesëtarë të organizatës së Fethullah Gylenit, që në këtë vend konsiderohet terroriste.

Gjashtë shtetasit turq janë dënuar si pjesë e lëvizjes politike të Fethuhllah Gulenit, tashmë i ndjerë. Burgimet e tyre sillen nga 7 vjet e gjysmë deri në 15 vjet.