LAJMET E MBRËMJES

Kosova firmos kontratë për blerjen e sistemeve “HUMVEE Hawkeye”

Forca e Sigurisë e Kosovës së shpejti do të ketë në dispozicion edhe sistemet moderne të artilerisë mobile “HUMVEE Hawkeye”. Kontrata me kompaninë amerikanë “AM General” është nënshkruar, ndërkohë që porositë e para do të dorëzohen brenda dy vjetëve të para të kontratës 3-vjeçare

Kosova ka nënshkruar kontratë me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake “AM General”, për blerje të sistemeve moderne të artilerisë mobile “HUMVEE Hawkeye 105mm Howitzer”.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se në kontratë përfshihen edhe automjete moderne të mbështetjes, pjesë rezervë, mirëmbajtja dhe trajnimi për operim e mirëmbajtje.

“Me këtë blerje ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta. Kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për vendin dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, ka thënë Maqedonci.

Për marrëveshjen ka njoftuar edhe kompania prodhuese “AM General”. Sipas saj, palët janë pajtuar për kontratë trevjeçare. 

“Jemi krenarë të njoftojmë për shitjen e suksesshme të HUMVEE Hawkeye te Ministria e Mbrojtjes së Kosovës për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një dëshmi e angazhimit tonë për të ofruar zgjidhje të përparuara për nevojat moderne ushtarake. Ky sistem mishëron qëndrueshmëri, shkathtësi dhe teknologji të përparuar, duke siguruar që forcat e armatosura të Kosovës të jenë të pajisura me mjetet më të mira për t’u mbrojtur”, ka deklaruar John Chadbourne, zv.president në “AM General”.

Numri i kontraktuar i këtyre sistemeve nuk është bërë i ditur, e sipas kompanisë dorëzimet do të nisin brenda dy vjetëve të parë të kontratës.

HUMVEE Hawkeye është i pajisur me “Teknologji të zbrazjes së butë”, që mundëson integrimin e një topi 105 milimetra në platformë të fortë në automjetin e lehtë HUMVEE. Kjo lejon vendosjen, qitjen dhe zhvendosjen e sistemit për më pak se 90 sekonda. 

Pos HUMVEE Hawkeyes, FSK-ja do të marrë gjithashtu ambulanca, kamionë komande e kontrolli, së bashku me kamionë të tjerë mbështetës, të cilët mundësojnë funksionalizimin e një baterie të tërë artilerie.