LAJMET E MBRËMJES

Supremja konstaton se shkarkimi i u.d. të kryeprokurorit Kelmendi ishte arbitrar dhe i kundërligjshëm

Gjykata Supreme ka konstatuar se shkarkimi i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit Besim Kelmendi nga ana e Këshillit Prokurorial ishte i kundërligjshëm. Derisa në KPK kanë thënë se janë në mjegull ligjore shkaku që Kelmendi e ka edhe një padi në Themelore, në IKD i kanë bërë thirrje Këshillit që ta rikthejë Kelmendin meqë u vërtetua se vendimi për shkarkim ishte arbitrar

Të kundërligjshëm e arbitrar e ka shpallur Gjykata Supreme vendimin e Këshillit Prokurorial për shkarkimin e u.d. të kryeprokurorit Besim Kelmendi. 

Në aktgjykimin e publikuar të mërkurën, Supremja ndër të tjera ka konstatuar se KPK-ja nuk kishte kuorum prej gjashtë anëtarësh kur e nxori vendimin. 

Për më tepër, sipas aktgjykimit, Këshilli është dashur të zhvillonte procedurë disiplinore dhe të hidhte në votim raportin që përpilohet në kuadër të kësaj procedure. 

“Shkarkimi për shkak të qëndrimeve personale, deklarimeve në media dhe Këshill pa iu dhënë mundësia që i njëjti të dëgjohet, përbën shkelje në vetvete nga ana e Këshillit, sepse personi në fjalë duhet të dëgjohet në raport me këto konstatime dhe jo të procedohet drejtpërdrejt në shkarkim... Vendimi si i tillë për shkak të peshës së pozicionit apo pozitës dhe jo individit në proces kërkon profesionalizëm të skajshëm që nga stadi i parë i procedurës, pastaj mbledhja me pikë të veçantë të rendit të ditës, aprovimi i rendit të ditës, prezantimi i një raporti mbi gjetjet në raport me bazën për shkarkim dhe në fund vendosja në procedurë të votimit propozimin për shkarkim”, thuhet në aktgjykimit të Gjykatës Supreme. 

Të pyetur lidhur me veprimet e radhës KPK-ja është përgjigjur në emër të kryesuesit Ardian Hajdaraj, duke theksuar se ndodhen në paqartësi ligjore, meqë Kelmendi është ankuar edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe për këtë nuk është marrë vendim meritor ende.

“Lidhur me pyetjet tuaja, në emër të kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, iu përgjigjemi si vijon: Njoftohet opinioni publik se ndodhemi para një situate juridike të paqartë, pasi që për të njëjtën çështje janë iniciuar dy lëndë gjyqësore dhe se vendimet e dy instancave të ndryshme të gjykatave janë të ndryshme. Lidhur me këtë vendim KPK do ta trajtojë dhe do të caktojë takim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Hajdaraj. 

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se edhe gjykatat e shkallës më të ulët do ta konstatojnë se çështja është gjykuar, meqë gjykata e shkallës së lartë (Supremja) ka vendosur me aktgjykim për këtë rast. 

“Në Këshillin Prokurorial të Kosovës duhet të ftohet edhe z. Kelmendi në cilësinë e anëtarit sipas detyrës zyrtare në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ky është aspekti i parë dhe duhet që të procedojë tutje. Tash ideja është se në fund të mandatit të një pjese të anëtarëve të KPK-së nuk është dashur të shihnim veprime të tilla që cenojnë ligjshmërinë. Gjykata Supreme kur e ka kthyer rastin në rishqyrtim ka treguar të gjitha procedurat se si do të vijohet tutje, përfshirë edhe çështjen e kuorumit dhe aspekteve të tjera dhe të gjitha këto çështje mund të shqyrtohen nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, mirëpo ligjshmëria është diçka kyç”, ka deklaruar Shala. 

Shkarkimi i Kelmendit ndodhi një ditë pasi ai u intervistua si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për hetimin e masakrës së Reçakut. 

Ai i pati mohuar raportimet e mediave se ka qenë bashkëpunëtor profesional i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq, që e kishte rastin e masakrës së Reçakut. 

Jehoha Grantolli, anëtare e KPK-së, që e propozoi shkarkimin e tij, pati deklaruar se veprimet e Kelmendit e kanë prekur ndërgjegjen e një kombi të tërë. 

Organizatat e shoqërisë civile dhe Zyra i BE-së në Kosovë e patën kritikuar shkarkimin e Kelmendit e edhe bllokimin e certifikimit të Elza Bajrami-Kastratit si anëtare e Këshillit Prokurorial.