Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike të premten.
Në mbledhje Qeveria ka ndarë 10 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të funeralit për akademikun Nexhat Daci.
“Ndarë 10,000.00€ (dhjetë mijë euro), me qëllim të mbështetjes financiare për mbulimin e shpenzimeve të funeralit për veprimtarin e Republikës së Kosovës, Akademik Nexhat Daci”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ish-kryekuvendari i Kosovës, Nexhat Daci, ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Qysh prej vitit 1968, Daci ishte i angazhuar në Universitetin e Prishtinës, e prej 1984-s mori titullin profesor i rregullt. Daci, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte në dy periudha: 1999-2004 dhe 2018-2019.
Përveç karrierës universitare, akademik Nexhat Daci ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në tri legjislatura, e në dy prej tyre, në periudhën 2000 – 2006, edhe kryetar.
Daci angazhimin e tij politik e zhvilloi me Lidhjen Demokratike të Kosovës deri në fund të 2006-ës, kur u nda partia pas përplasjeve fizike në atë që u njoh si “Kuvendi i Karrigeve”. Më 2007, ai themeloi partinë Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe në zgjedhjet e po atij viti mori 10% të votave.