Arbëri

Punimet jocilësore e kyçjet ilegale lënë Parkun e Bizneseve pa ujë

Bizneset që operojnë në Parkun e Biznesit në Drenas ka një vit që po përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë. Kjo po u shkakton telashe në prodhim dhe për nevoja të punëtorëve. Nga Ujësjellësi thonë se fajin për këtë e kanë punimet jocilësore dhe kyçjet ilegale nga banorët e Sllatinës. E nga Ministria e Tregtisë nuk janë përgjigjur se kush i ka kryer punimet në infrastrukturën e këtij parku

Drenas, 20 mars - Shkaku i punimeve jocilësore në infrastrukturën e Parkut të Biznesit në Drenas dhe kyçjeve ilegale nga banorët në Sllatinë, mbi 40 biznese që operojnë aty po përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë.

Mungesa e ujit po i shkakton telashe në prodhim edhe kompanisë “Shehu”, e cila merret me prodhimin e shkallëve dhe dyerve të hyrjes nga druri dhe nga metali.

Menaxheri i saj, Rilind Gashi, thotë se ka një vit që kanë probleme të vazhdueshme. Sipas tij, ujin e kanë të domosdoshëm për pjesën e prodhimit, për ngjyrosje, por edhe për ngrohje.

“Shkaku i mungesës së ujit kemi pasur probleme për prodhimtari, ose për të pasur ngrohje, pasi sistemi i ngrohjes është me ujë dhe për këtë arsye nuk mund të realizojmë kapjen e produkteve të drurit për shkak të mungesës së temperaturës adekuate”, ka thënë ai.

Pusi qe e kanë hapur thotë se nuk ka sasi të mjaftueshme të ujit për t’i mbuluar nevojat që kanë për prodhim, e as për mirëmbajtje të objektit.

Në mungesë furnizimit me ujë nga KRU “Prishtina”, Fisnik Berisha menaxher në kompaninë “VBH Kosovo”, thotë se po detyrohen që ta blejnë.

“Ka probleme të vazhdueshme me ujë. Sezoni e verës është më i theksuar. Ka dy muaj që ka ndërprerje më të mëdha, duke mos llogaritur edhe ato 1 ose 2 ditë që nuk i llogarisim hiq. Kur po kalohet një javë ose 10 po është e tepërt. Kemi rezervuarët rreth 1 mijë litra në depo, por po harxhohen dhe punëtorët kur vjen pauza e drekës nuk kanë ujë për t’i pastruar duart”, thotë Berisha.

Në KRU “Prishtina” fajin për mungesë të ujit ia lënë punimeve siç ka thënë jocilësore nga kompania implementuese e kontraktuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe kyçjeve ilegale të banorëve të Sllatinës.

Shkaku i këtyre punimeve thonë se ajo linjë furnizuese ka shumë defekte.

“Ne gjithmonë i sanojmë defektet në kohë, mirëpo ka shumë të tilla përveç kësaj , projekti nuk është përfunduar si tërësi asnjëherë. Banorët e fshatit Sllatinë janë të lidhur në mënyrë jo të rregullt, gjë që shton problemet edhe më shumë. Nga aspekti operativ neve na ka mbetur barrë ky sistem, ani pse për ne ka një kosto shumë të lartë dhe nga pagesat e të gjithë konsumatorëve as energjia elektrike nuk mbulohet e lëre më shumë”, thuhet në përgjigjen e KRU “Prishtina”.

Sipas kompanisë, Parku i Biznesit tërë sistemin e ka me pompa të cilat janë jashtëzakonisht të mëdha, me një lartësi ngritje mbi 230 metra.

Sipas kompanisë, brenda Parkut ka edhe shumë humbje dhe keqpërdorime enorme të ujit, që gjë vështirëson edhe më shumë furnizimin me ujë. Thotë se shpeshherë bizneset i furnizojnë me ujë me autocisternë.

Nga Ministria e Tregtisë, që ka qenë përgjegjëse për shtrirjen e infrastrukturës në këtë park, nuk janë përgjigjur ne pyetjet e KOHËS se kush ka qenë kompania që ka bërë implementimin e projektit.

Ajo nuk është përgjigjur as për problemet që kanë bizneset në furnizim me ujë dhe nëse do të ndërmerren hapa për sanimin e këtyre problemeve që po përballen bizneset.

Parku i Biznesit në Drenas është hapur në vitin 2010 me sipërfaqe 24 hektarë. Ndërtimet e infrastrukturës fizike janë bërë nga MTI-ja, tani MINT.

Qeverisjet e kaluara kishin premtuar zgjerimin e parkut edhe për 30 hektarë. Por, ende nuk ka asgjë konkrete në atë drejtim.