Punëtorët teknikë të disa shkollave në Prishtinë kanë hyrë në grevë për shkak të mospagesës së pagave për muajin prill, raporton Ekonomia Online.
Në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave “Dardania”, “Asim Vokshi”, “Gjergj Fishta”, “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina” e shkolla të tjera në kryeqytet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se greva po mbahet pothuajse në të gjitha shkollat e Prishtinës dhe se punëtorët nuk do të kthehen në punë derisa pagat të ekzekutohen.
“Pjesa dërmuese e shkollave, po megjithatë deri tani nuk kam asnjë informacion se ndonjë shkollë e ka thyer grevën. Kështu që mendoj që të gjitha shkollat janë në grevë. Kërkesa për grevë është sepse ne jemi sot me datën 19 dhe nuk i kemi marrë pagat për muajin prill. Pagat janë aq të ulëta sa që edhe kur i marrim me kohë nuk po mund t’i ia dalim e lëre më tani kemi hyrë në javën e tretë që nuk i kemi marrë. Këtë gjendje e rëndon akoma më shumë se pjesa dërmuese jemi me kredi dhe për çdo ditë bankat tona na thërrasin për kamatën e tyre. Realisht, ne nuk e dimë arsyen pse nuk është bërë pagesa. Kemi komunikuar kështu në mënyrë spontane me institucionet relevante, por neve tani nuk na intereson se a është faji tek kompanitë apo tek Komuna e Prishtinës, neve na interesojnë vetëm pagat tona. Përndryshe aq më keq këta punëtorë tani, disa shkolla që nga data 1 maj dhe disa që nga data 11, nuk kanë fare kontratë dhe faktikisht është diçka po themi kështu anarki e tepruar”, tha Azemi.
Azemi tha se greva do të vazhdojë derisa punëtorët t’i marrin pagat në llogaritë e tyre bankare.
“Ne nuk e kemi ndërmend as të gjuajmë askënd, as ta kallim askënd. Vendimi ynë dhe fuqia jonë është greva, dhe kjo grevë është shumë normale që do të zgjasë deri në momentin që pagat t’i shohim ne me sytë tanë, përndryshe nuk i besojmë askujt. Në momentin kur pagat bien në llogaritë tona, do të kthehemi në punë. Përndryshe, ne do të vazhdojmë me grevë po themi kështu të përditshme dhe nuk do të kryejmë asnjë shërbim”, tha ai.
Ai shtoi se kompanitë që kanë qenë të kontraktuara me Komunën e Prishtinës tashmë nuk kanë kontrata aktive, derisa akuzoi Komunën për moszgjidhje të situatës.
Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë hyjnë në grevë
Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë kanë hyrë në grevë nga ora 7:00 e mëngjesit, në shenjë revolte pasi nuk e kanë marrë pagën e muajit prill.
“Ekonomia Online” ka raportuar se punëtorët teknikë në shkollën “Dardania” nuk janë lejuar të flasin për media, pasi sipas tyre, Komuna e Prishtinës kishte njoftuar drejtorët e shkollave që të mos lejohen deklarime pa leje paraprake e drejtori i shkollës nuk ka dhënë leje.
E prapa kamerave, disa punëtorë teknikë thanë se janë kontraktuar nga kompani private dhe se me të njëjtin problem përballen çdo muaj.
Sipas tyre, ata po detyrohen vazhdimisht të mbajnë greva për të marrë pagat për të cilat punojnë. Ata u ankuan se nga këto kompani po trajtohen “si skllevër”, ndërsa shprehën pakënaqësi edhe për pagat e ulëta që marrin.