Nevoja për politika të reja dhe përforcim të mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ka qenë një prej çështjeve që është ngritur në simpoziumin shkencor të Asociacionit të Psikiatërve të Kosovës këtë javë.
Diskutimi u bë në kuadër të simpoziumit me temën “Dhuna në Familje – Qasje ndërdisiplinare dhe roli i profesionistëve të shëndetit mendor”, në kuadër të muajit të promovimit të shëndetit mendor dhe ditës ndërkombëtare të familjes (15 maj).
Sipas një komunikate nga Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës, simpoziumi ka pasur për qëllim thellimin e diskutimit dhe analizës mbi sifdat që paraqet dhuna në familje në kontekstin e gjerë social dhe të shëndetit mendor.
Gjatë punimeve aty është theksuar edhe për nevojën për ndërhyrje të hershme e diagnostikim të saktë të ndikimit të dhunës në shëndetin mendor të viktimave; për rolin e profesionistëve në identifikimin e shkaqeve të dhunës në familje; bashkëpunimi ndërdisiplinor si domosdoshmëri për ofrimin e një qasjeje holistike dhe të qëndrueshme ndaj këtij fenomeni.
Ky asociacion ka thënë se mbetet i përkushtuar në promovimin e shëndetit mendor dhe ngritjen e kapaciteteve për adresimin efektiv të dhunës në familje.
“Investimi në shëndet mendor është edhe investim në sigurinë shoqërore”, thuhet në thirrjen e kësaj komunikate.