Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së pestë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave e në cilat komuna kanë qenë liderët e partive?
Më poshtë agjendat e partive për ditën e sotme:
Agjenda e aktiviteteve të Lëvizjes Vetëvendosjes:
12:30 – Vizitë punëtorisë Lima Tex, Gjakovë.
13:00 – Takim me gra në fshatin Beguce. (Viti)
17:00 – Tubim në Novosellë. (Pejë)
19:00 – Tubim në fshatin Gërncar. (Prizren)
19:00 – Tubim në Kaçanik të vjetër. (Kaçanik)
Agjenda e aktiviteteve e Partisë Demokratike të Kosovës:
19:00 - Shkolla "Mihal Grameno" - Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
20:00 - Restorant "Nobel" - Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Drenasit. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Agjenda e aktiviteteve e Lidhjes Demokratike të Kosovës:
19:00 - LDK-ja mban tubim në Shtime, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit.
Tahiri i LDK-së premton përkrahje për bizneset në Vushtrri
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se në planin e tij 4-vjeçar e ka kompensimin e dëmeve të bizneseve dhe rregullimin modern urban të lagjes ikonike “Pandeli Sotiri”.
Ai ka zhvilluar një takim me banorët e kësaj lagjeje të mërkurën. Ai në postim në Facebook ka shkruar se 14 lokale janë mbyllur e 100 vende pune janë shuar e bizneset kanë humbur qindra e mijëra euro, për shkak të punëve të pa planifikuara mirë nga pushteti aktual komunal.
“Në lagjen ikonike ‘Pandeli Sotiri’ të qytetit, bashkë me profesorin e kitarës kandidatin tonë shembullor Altin Tërdevci takuam banorët dhe bizneset aty. S’po them unë asnjë fjalë për këtë lagje, sepse ju e shihni vet çdo ditë, 14 lokale të mbyllura gati 100 vende pune të shuara, qindra mijëra euro humbje bizneseve aty, 0 kompensime të dëmit nga Komuna, krejt kjo për shkak të punëve jo kualitative, të pa planifikuara mirë të Komunës. Prezenca e babait te Erzenit ishte fort emocionale. Në planin tonë për 4 vitet e ardhshme do të kompensojmë dëmet bizneseve, do të bëjmë rregullim modern urban të kësaj lagje, e rrugën nga ‘Pandeli Sotiri’ do ta riemërtojmë rruga “Erzen Hyseni””, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Krasniqi në Klinë e Malishevë u bën thirrje qytetarëve ta votojnë PDK-në
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar të martën në Klinë dhe Malishevë, ku ka prezantuar kandidatët e PDK-së për kryetar të komunave përkatëse.
Në një komunikatë për media PDK-ja ka njoftuar se në një tubim të mbajtur në në Caravik të Klinës, Krasniqi ka theksuar se shumica e projekteve të mëdha që sipas tij, e kanë transformuar Klinën “nga një qytezë e vogël, e lënë anash në të kaluarën në një qytet të vërtetë e mbajnë vulën e PDK-së dhe Sokol Bashotës”.
Ai thuhet se ka kërkuar nga të pranishmit të mobilizohen për rikthimin e Bashotës në krye të komunës së Klinës.
“Me datën 12 tetor, të bëhemi bashkë në mënyrë solemne e të organizuar, të shkojmë te kutitë e votimit dhe të votojmë për numrin 191, për PDK-në dhe për kandidatin tonë e kryetarin e ardhshëm Sokol Bashota”, citohet të ketë thënë Krasniqi.
Ndërkaq, gjatë qëndrimit në Malishevë, Krasniqi ka thënë se kjo komunë po shkon drejt një ndryshimi të madh që ka emër, fytyrë, identitet dhe është i mishëruar te kandidati i PDK-së për kryetare të kësaj komune, Dr. Gëzim Krasniqi.
“Dr. Gëzimi është shembull i një personaliteti me vlera të larta profesionale e kombëtare. Një pediatër që për mbi 20 vite ka qenë pranë çdo fëmije e çdo shtëpie në Komunën e Malishevës. Një mjek që nuk është kursyer as ditën e as natën, që nuk ka shikuar orar, por vetëm ka shikuar nevojat e qytetarëve të kësaj komune. Një luftëtar i lirisë, që si student iu bashkua UÇK-së me zemër e pa llogari personale. Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë për secilin qytetar që e do Malishevën me zemër: Dr. Gëzim Krasniqi, numri 191 – Partia Demokratike e Kosovës”, citohet të lideri i PDK-së në komunikatë.
Ismaili: Dy parkingje nëntokësore dhe buxhet prej 14 milionësh vetëm për Dardaninë
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka vazhduar me prezantimin e zgjidhjeve specifike për lagjet e kryeqytetit, ku pas Kodrës së Trimave, të mërkurën vazhdoi me Dardaninë – një nga lagjet më të rëndësishme të kryeqytetit.
Ismaili u zotua se kjo lagje do të marrë më shumë vëmendje dhe investime konkrete.
“Dardania ka nevojë për jetë më të mirë në lagje, jo për hapësira pa gjallëri e pa mirëmbajtje”, është shprehur ai.
Projektet identifikuese të Urani Ismailit për Dardaninë përfshijnë: rivitalizimin e plotë të Kurrizit dhe hapësirës rreth Santesë, rinovimin e të gjitha ndërtesave me fasada të reja, izolim dhe panele solare, riparimin e të gjithë ashensorëve ekzistues në lagje, ndërtimin e dy parkingjeve nëntokësore për të liruar hapësirat publike para ndërtesave, krijimin e një qendre multifunksionale të lagjes me pishinë gjysmë-olimpike dhe hapësira rekreative.
Ismaili theksoi se këto projekte do ta kthejnë Dardaninë në një lagje më funksionale, me hapësira moderne dhe të mirëmbajtura, ku qytetarët do të ndihen pjesë e një jete urbane më të gjallë dhe cilësore.
Shahini tregon planet për trafikun urban në Prishtinë
Kandidatja për kryetare të Prishtinës nga Partia Socialdemokrate, Besa Shahini ka thënë se një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të kryeqytetit është Trafiku Urban.
Ajo ka thënë se mijëra qytetarë udhëtojnë çdo ditë me autobusë, ndaj investimi në transport publik do të thotë më pak trafik në Prishtinë.
“Biseduam për planin tonë për një flotë më e madhe autobusësh për Trafikun Urban dhe të shtohen minibusë për lagjet me rrugë të ngushta, si dhe për transportin shkollor. Vizituam objektin që urgjentisht duhet të renovohet dhe biseduam për përmirësimin e kushteve të punonjësve, përfshirë edhe rritjen e pagave”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka thënë se ndërmarrjet publike janë thelbësore për ofrimin e shërbimeve qytetare. Ato duhet të mbështeten dhe zhvillohen, jo të shndërrohen në fushëbeteja partiake.