Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar për vizitën e tij të dytë historike shtetërore, e cila do të përfshijë një takim me mbretin, bisedime tregtare dhe politikë ndërkombëtare.

Përpara se të nisej nga SHBA-ja me Air Force One, Trumpi e ka përshkruar vizitën si një nder duke thënë se marrëdhënia e tij me Mbretërinë e Bashkuar është shumë e mirë.  

"Ata duan të shohin nëse mund ta rafinojnë pak marrëveshjen tregtare... Unë dua t'i ndihmoj", ka thënë Trumpi, teksa një marrëveshje investimi shumëmiliardëshe në teknologji amerikane u njoftua ndërsa vizita e tij filloi.

Por Trumpi ka thënë se qëllimi kryesor i vizitës ishte të shihte siç ka thënë, mikun e tij, Mbretin Charles.

Ndërkohë, një mesazh kyç nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të jetë inkurajimi i SHBA-së për të ruajtur angazhimin e saj ndaj NATO-s dhe për të mbështetur Ukrainën.

Grupet anti-Trump në Britani do të protestojnë gjatë vizitës së presidentit amerikan

2 o. më parë / 17 sht 2025 10:41
Donald Trump

Photo: Associated Press

Ndërsa madhështia, pompoziteti dhe bujaria do të jenë në qendër të vizitës shtetërore të Trumpit në Mbretërinë e Bashkuar, jo të gjithë do ta mirëpresin udhëheqësin amerikan me krahë hapur.

Koalicioni "Stop Trump" - i cili përfshin mbi 50 sindikata dhe organizata bamirësie, thotë se do të organizojë një demonstratë kombëtare kundër vizitës shtetërore të Trumpit të mërkurën.

Grupi thotë se do të mblidhet në Portland Place në mesditë pastaj do të marshojë drejt Sheshit e Parlamentit dhe do të mbajë një tubim më vonë.

Edhe pse Trumpi nuk do të vizitojë Parlamentin, i cili aktualisht është në pushim, grupet thonë se do të demonstrojnë për të "mposhtur politikën e Trumpizmit" dhe për të promovuar "një vizion alternativ demokratik të botës, bazuar në paqe, drejtësi sociale dhe bashkëpunim ndërkombëtar".

Koalicioni "Stop Trump" thotë se dëshiron të "luftojë kundër qeverisë britanike dhe elitës politike kur ajo përpiqet të qetësojë" politikat e Trumpit.

"Një qeveri që do t'i përulet Trumpit dhe racizmit është ajo që do t'i hapë derën fashizmit", ka thënë një zëdhënës i koalicionit "Stop Trump" në një video të postuar në X.

Kreu i Partisë së Gjelbër, Zack Polanski, ish-lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn dhe Ben Jamal, drejtori i Fushatës së Solidaritetit me Palestinën, do të flasin në protestë.

Kjo protestë vjen gjithashtu pas marshimit më të madh të ekstremit të djathtë që u zhvillua të shtunën.

Trumpi ka inkurajuar të djathtën ekstreme, thotë kryebashkiaku i Londrës

3 o. më parë / 17 sht 2025 10:02
Sadiq Khan

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, kanë shkëmbyer më parë komente të ashpra.

Ata nuk është planifikuar të takohen gjatë vizitës shtetërore të Trumpit në Britani të Madhe, e cila ka nisur të mërkurën.

Khan ka publikuar një artikull në The Guardian, në të cilin thotë se Trumpi "ndoshta ka bërë më së shumti për të ndezur flakët e politikës përçarëse dhe të ekstremit të djathtë në të gjithë botën në vitet e fundit".

Ai ka shtuar se vendimi i fundit i Trumpit për të vendosur trupa në qytetet e SHBA-së ishte "direkt nga libri i lojërave të autokratit".

Khan thotë se ndërsa e kupton nevojën "pragmatike" për të ruajtur lidhjet me SHBA-në, e ashtuquajtura "marrëdhënie speciale" do të thotë "nganjëherë, të jesh një mik kritik dhe t'i thuash të vërtetën pushtetit - dhe të jesh i qartë se ne hedhim poshtë politikën e frikës dhe përçarjes".

Në korrik, Trumpi e ka quajtur kryebashkiakun "një person të keq" që ka "bërë një punë të tmerrshme".

Dhe kur Trumpi ishte për herë të fundit në detyrë, ai e ka quajtur Khan një "humbës të patundur që duhet të përqendrohet në krimin në Londër".