Kryetari aktual Përparim Rama e ka përfunduar në vitin 2022 procesin e këmbimit të 10 hektarëve të pronës publike në favor të ish-klientit të tij, Rrahman Haradini. Procesi ka nisur në vitin 2021, kur kryetar ishte Shpend Ahmeti. Ai një propozim të tillë e bëri në ditën e fundit kur ia lejonte ligji, pasi ishte në fund të mandatit. E procesi u përmbyll në kohën e Ramës
Me propozimin e ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, më 2021 e me validimin e kryetarit aktual Përparim Rama më 2022, Komuna e Prishtinës ka këmbyer të paktën 10 hektarë në Badoc, në pjesën ku nuk lejohen ndërtimet, me 7 hektarë në Prishtina e Re, zonën me më së shumti potencial financiar në kryeqytet e ku lejohen ndërtimet.
Komuna ka dhënë tokën në zonën Prishtina e Re për ta marrë atë në Badoc.
Këmbimi është bërë mes Komunës së Prishtinës e Rrahman Haradinit, që kryetari Rama në disa raste e ka quajtur ish-klient të tij.
Rama në vitin 2020 ishte i angazhuar nga Haradini për projektimin e ndërtesave në Badoc, projekt i cili ishte ndaluar me vendim të ish-ministrit të Ambientit, Lumir Abdixhiku.
Në dokumentet që ka siguruar KOHA figuron edhe një pronë 2-hektarë e gjysmë që e ka përfituar ish-klienti i Ramës në zonën Prishtina e Re, por aty nuk është treguar se sa ka dhënë ai në këmbim.
KOHA ka pyetur edhe Ramën, e edhe Ministrinë e Financave për vlerësimet financiare, por ata nuk janë përgjigjur.
Baza ligjore për këmbimin e pronës publike përcakton se komunat nuk kanë të drejtë të bëjnë këmbim të pronës publike prej ditës kur presidentja cakton datën e zgjedhjeve. Presidentja e caktoi datën më 15 qershor 2021. E, Ahmeti thirri seancën dhe bëri propozimin më 14 qershor, në ditën e fundit të mandatit.
Ahmeti pati thënë se ka vendim të Ministrisë së Ambientit që këto prona të këmbehen.
“Besomi që ia hiqni një gajle jo vetëm këtij kryetarit, por edhe secilit kryetar që vjen. Palët munden me na padit në gjyq, e kemi diskutuar disa herë. E kemi marrë një letër prej Ministrisë ku na ka thënë që tashmë duhet t’i shpronësoni. Ia kemi bërë një vlerësim krejt zonave, 1 dhe 2. Nuk kemi buxhet të mjaftueshëm, kështu që do të mundohemi me këmby”, pati thënë Ahmeti më 14 qershor 2021.
Ndonëse ky vendim është votuar në mandatin e Ahmetit, kontrata mes kryetarit dhe pronarëve të parcelave nga shkresa që ka siguruar KOHA nuk është bërë publike deri në qershorin e vitit 2022, kohë kur kryetari aktual, Perparim Rama, tashmë e pati marrë detyrën.
Rama në konferencën e së hënës për rënien e çatisë në objektin e ri të Komunës nuk pranoi pyetje lidhur me këmbimet, por ka thënë se lajmet ishin shpifje.
“Unë jam super i shqetësuar prej mënyrës qysh është raportuar. Të pavërteta totale që ka filluar në qeverisjen e kaluar, me kërkesë të ministrisë”, ka thënë Rama.
Ai është pyetur se çka saktësisht ishte e pasaktë në raportim. Por tha se do të tregojë në një konferencë tjetër.
“E organizojmë një konferencë dhe i sqarojmë të gjitha që të mos ia humbim ndjeshmërinë kësaj konference. Për këtë arsye po them që do të organizojmë konferencë”, ka shtuar Rama.
KOHA javën e kaluar ka raportuar për një proces të ri të këmbimit të pronës publike me atë private. Sipas dokumenteve, ish-klientit të Ramës do t’i merren 8 hektarë, ndërsa në propozim ceket që objekt këmbimi do të jetë një pronë 20-hektarëshe.
Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në INPO, ka deklaruar se nëse një proces nuk ka shkuar në rregull, kryetari është dashur të mos e nënshkruajë. Po ashtu, sipas saj, ai është dashur ta deklarojë konfliktin e interesit në këtë rast.
“Secili kryetar i komunës do të duhet të sigurohet që procesi ka shkuar në rregull. T’i absorbojë të gjitha dispozitat ligjore dhe gjithsesi të arsyetohet interesi publik për këmbimin e pronës komunale. Pavarësisht nëse një proces ka nisur nga një legjislaturë e kaluar dhe kalojnë tek tjetri, secili kryetar i komunës bart përgjegjësi ligjore me aktin e nënshkrimit”, ka thënë Nrecaj.
KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga ish-kryetari Shpend Ahmeti, por ai nuk ka kthyer. Pyetjeve të KOHËS nuk u është përgjigjur as ish-klienti i Ramës, Rrahman Haradini.
Ahmeti në ditën e fundit të mandatit, kur pati mundësi ligjore, pati propozuar këmbimin edhe të pronave të tjera, ndër to edhe një disahektarëshe në Badoc me një në zonën Prishtina e Re.