Arbëri

Prishet rezonanca magnetike e Spitalit të Pejës, e blerë në 2022-tën. 368 pacientë në pritje

Në Spitalin e Pejës qe një muaj është jashtë funksionit pajisja për rezonancë magnetike e blerë në vitin 2022. Kjo ka shkaktuar listë të gjatë të pritjes së pacientëve për ekzaminim, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet.

Prej një muaji aparatura e rezonancës magnetike në Spitalin e Pejës është jashtë funksionit, si pasojë e defekteve për shkak të jostabilitetit me energji elektrike.

Gjatë kësaj kohe pacientët nuk kanë pasur mundësi as të caktojnë terminë për ekzaminim, e sipas Spitalit të Pejës, deri në momentin e prishjes së pajisjes, në listë të pritjes kanë qenë 368 pacientë.

“Aktualisht nuk jemi duke bërë terminë të rinj, ndërsa në listën e pritjes kanë qenë 368 persona”, kanë bërë të ditur në këtë spital.

Në Spitalin e Pejës thanë se menaxhmenti është duke analizuar shkaqet që kanë sjellë deri te dëmtimi i pajisjes, si dhe mundësitë e riparimit.

“Dëmtimi ka të bëjë me heliumin, që është zbrazur papritmas dhe aktualisht nuk mund ta themi vlerën e saktë të dëmit”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Pejës.

Për mirëmbajtjen e aparaturës, që ka kosto rreth 658 mijë euro, Spitali nuk ka aktive ndonjë kontratë me operatorët ekonomikë. Tender për servisim dhe rregullim të rrymës në dhomën ku ndodhet pajisja u hap më 24 shkurt të këtij viti, por ende nuk është finalizuar me kontratë.

“Nuk kemi pasur kontratë aktive, por do të shfrytëzohet kontrata e SHSKUK-së për mirëmbajtje. Nuk mund të themi datë të saktë, sepse nevojitet që pjesët dhe pajisjet të vijnë nga bota e jashtme dhe kjo ka procedurën e vet”, thuhet në përgjigjen e spitalit.

E, pas prishjes së kësaj aparature ka nisur hetim edhe Prokuroria Themelore në Pejë.

“Me të pranuar informatën, Kryeprokurorja ka përpiluar shënim zyrtar dhe njëkohësisht ia ka proceduar rastin një prokurori të shtetit për trajtim të mëtutjeshëm. Këtë fazë nuk mund të japim më shumë informata”, ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i kësaj prokurorie.

Spitali i Pejës është pajisur me rezonancë magnetike në dhjetor të 2022-tës.