Seanca konstituive, e 42-a me radhë e planifikuar në ora 11:00 të shtunën, është shtyrë për në ora 20:00 pas kërcënimit me bombë në objektin e Kuvendit.
Loshi: Dikush në anglisht tha se bomba është vendosur në Kuvend e se do shpërthejë për 10 minuta
Kushdo që ka qenë në ndërtesën e Kuvendit të shtunën është evakuuar pas alarmit për bombë, pak para nisjes së seancës konstituive.
Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi, ka thënë se alarmi është bërë nga një person që ka kërcënuar në gjuhën angleze.
“Sipas njoftimit, është kërkuar evakuimi sepse në gjuhën angleze një person ka thirrë dhe ka thënë që një bombë është vendosë në ndërtesë dhe e njëjta do shpërthejë brenda 10 minutash”, ka thënë ai.
Seanca konstituive të shtunën do të vazhdojë në orën 20:00
Evakuohet ndërtesa e Kuvendit pas kërcënimit me bombë
(E përditësuar 12:15) - Në një njoftim më vonë, Policia e Kosovës ka thënë se kërcënimi ka ardhur përmes një sms-je.
“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet. Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në vendngjarje ka dalë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.
(11:05) - Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ku po planifikohej të mbahej seanca e radhës konstituive të shtunën është evakuuar për shkaqe sigurie, pas kërcënimit me bombë, ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“Ka një kërcënim me gjasë, me bombë. Policia për shkak të masave të sigurisë, ka thënë se duhet të evakuohet stafi. Ka një kërcënim, nuk e di më tutje, Policia duhet të japë sqarime. Krejt çka na kërkun është me liru ndërtesën”, ka thënë Tahiri.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk beson që ka ndonjë rrezik për deputetët.
“Është tepër e pakuptimtë kjo çka po ndodh. Ndoshta është ndonjë telefonatë e qëllimshme me i largu deputetët nga Kuvendi. S’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin”, ka thënë ajo.
E në një përgjigje për KOHËN, Kuvendi e ka konfirmuar se po dyshohet për bombë të mundshme.
“Policia na ka njoftuar se ka marrë njoftim për alarm për një bombë të mundshme në hapësirat e objektit të Kuvendit. Për pasojë ka kërkuar evakuimin e objektit. Të gjithë janë jashtë. Për më tepër informata kontaktoni Policinë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se kërcënimi duket se është bërë përmes telefonatës.
"Kërcënimi ka qenë i qartë, policia po mendon ashtu, të gjitha grupet parlamentare po i binden këtij vendimi”.
Xhaferi: Inatet politike anash, nevojitet marrëveshje politike
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka thënë se Kuvendin po e bllokon kryeneçësia politike. Ai ka shtuar se duhet rikthim në rendin e ditës sipas rregullores, e që të mos vazhdohet me përpjekjen për votimin e fshehtë.
Xhaferi ka theksuar se tanimë vetëm marrëveshja politike e zhbllokon situatën.
“Duhet inatet politike t’i lëmë anash, duhet marrëveshje politike për të dalë nga kjo situatë”.
Qalaj: LVV-ja qëllimisht po dëmton interesat e vendit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht nuk po e zhbllokon situatën në Kuvend.
Sipas tij, LVV-ja qëllimshëm po dëmton interesat e vendit.
“Çdo shtyrje e konstituimit është dëm i madh i vendit dhe siç po shihet nuk ka vullnet që situata të zhbllokohet nga VV-ja. Është veprim i qëllimtë për të dëmtuar interesat e vendit”, ka thënë ai para nisjes së seancës.