Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, është detyruar që në mungesë të buxhetit të mjaftueshëm të vendosë prioritetet që duhet të realizohen me mjetet që janë në dispozicion. Në një email-i që e ka parë KOHA, Buzhala njofton kryetarin e anëtarët e KQZ-së për rrezikun me të cilin mund të përballen gjatë procesit zgjedhor të 12 tetorit
“Publiku do të njoftohet me kohë lidhur me çështjet e buxhetit, nga KQZ-ja e institucionet e tjera. Një gjë e premtojmë që zgjedhjet nuk rrezikohen. Në çfarëdo forme”. Pak kohë nga kjo deklaratë, kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, e anëtarët e tjerë të KQZ-së u njoftuan se në mungesë të buxhetit shtesë rrezikohet procesi zgjedhor i 12 tetorit.
Në njoftimin që e ka parë KOHA, ushtruesi i detyrës së Sekretariatit, Besnik Buzhala, konfirmon se buxheti aktual nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e disa aktiviteteve zgjedhore. Sipas tij, edhe alokimi eventual i buxhetit shtesë prej Qeverisë ndikon në afatet e përcaktuara për sigurimin e materialeve e shërbimeve zgjedhore.
“Duke qenë se kemi një situatë aktuale të gjendjes financiare të papërcaktuar, ju njoftoj si në vijim: Buxheti aktual i aprovuar (mbi 9 milionë euro) nuk mundëson autorizimin e të gjitha aktiviteteve të domosdoshme të prokurimit për materiale dhe shërbime të tjera; Edhe nëse kërkesa buxhetore shtesë (mbi 6 milionë euro) aprovohet, alokimi i tyre do të marrë kohë, me ç`rast mund të vonohen pastaj edhe afatet normale për prokurimin e materialeve dhe shërbimeve zgjedhore”, thuhet në njoftimin e drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së.
KQZ-ja tash e gati një muaj nuk ka marrë konfirmim nga Qeveria për ndarjen e rreth 6.5 milionë eurove që i ka kërkuar për organizimin e zgjedhjeve lokale.
Në mungesë të kësaj, udhëheqësi i Sekretariatit të KQZ-së ka autorizuar nisjen e disa prej aktiviteteve të prokurimit që mund të rrezikojnë procesin zgjedhor.
Një veprim të tillë thotë se e ka bërë në bazë të prioriteteve dhe të një “vlerësimi të sigurisë të aprovimit të kërkesave shtesë për buxhet nga Qeveria”.
“Unë do t`i autorizoj disa nga aktivitetet e prokurimit, të cilat vlerësohen vendimtare për mbajtjen e zgjedhjeve dhe çdo vonesë në implementimin e tyre rrezikon procesin zgjedhor. Autorizimi për zhvillimin e aktiviteteve do të bëhet sipas prioriteteve, si për shembull: aktiviteti i prokurimit për shtypjen e listave përfundimtare të votuesve dhe fletëvotimeve. Autorizimi për zhvillimin e aktiviteteve të pabuxhetuara dhe të cilat janë të domosdoshme për furnizim me material zgjedhor dhe shërbime, do të mbështetet në buxhetin e alokuar dhe të pashpenzuar për aktivitetet më pak prioritare dhe në vlerësimin e sigurisë së aprovimit të kërkesave shtesë për buxhet nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e tij.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë treguar se çfarë përgjigjeje kanë marrë nga Qeveria për buxhetin shtesë të kërkuar e as se si do t’i realizojnë operacionet e parapara zgjedhore.
Në një përgjigje me shkrim thuhet se për këto çështje do të raportojë drejtori i Sekretariatit të KQZ-së.
“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftoj se në mbledhjen e radhës të KQZ-së për të gjitha këto çështje do të raportojë drejtori i Sekretariatit të KQZ-së. Mbledhja do të jetë e hapur për media dhe do t’ju informojmë pasi të caktohet data për mbajtjen e saj”, ka thënë Elezaj.
Të premten, KOHA ka raportuar për rrezikun me të cilin pritet të përballet KQZ-ja në rast të mosndarjes së buxhetit shtesë nga Qeveria e Kosovës.
Mes aktiviteteve kryesore që cenohen nga mungesa e parave janë: votimi jashtë Kosovës, publikimi i rezultateve dhe ofrimi i transparencës në procesin zgjedhor të 12 tetorit.