Arbëri

Të dhëna alarmuese për cilësinë e ajrit, mjekët paralajmërojnë dëme të përhershme shëndetësore

Emetimi i ndotësve kryesorë në ajër ka shënuar rritje prej 26 për qind nga viti 2023 në atë 2024, thuhet në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën. Ekspertë të mjedisit thonë se shkak kryesor për këtë janë termocentralet me thëngjill. E ata shëndetësorë alarmojnë se nga lirimi i shtuar në ajër i dyoksidit të squfurit, oksideve të azotit dhe i pluhurit, njerëzit mund të kenë pasoja edhe të përhershme

Për afro 26 për qind është rritur emetimi i dyoksidit të squfurit, i oksideve të azotit dhe i pluhurit në ajër gjatë vitit 2024, krahasuar me një vit më parë, ka treguar raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën. 

Sipas këtij raporti, niveli i dyoksidit të squfurit është rritur nga 10.495 tonë më 2023 në 11 mijë e 713 tonë më 2024. Ai i oksideve të azotit, nga 11 mijë e 384 tonë sa ka qenë më 2023 në 16 mijë e 851 tonë më 2024 e i pluhurit nga 4 mijë e 742 tonë në 5 mijë e 606 tonë. 

Si burim kryesor për përkeqësimin e gjendjes me ndotjen e ajrit, njohësi i çështjeve mjedisore, Besnik Shabiu, ka përmendur termocentralet me thëngjill. E ndikim ai thotë se pati edhe përdorimi për ngrohje i pajisjeve me energji elektrike.

“E kemi parë që ministria dhe qeveria e kanë stimuluar ngrohjen me energji elektrike dhe ne e dimë që burimi kryesor të energjisë elektrike në vendin tonë e kem prej termocentralit. Ngrohja që vjen nga energjia elektrike e rrit atje nevojën për të punuar edhe më tepër termocentralet dhe në këtë rast normal që rritet në sasi më të madhe edhe emitimi i gazeve të sulfurit, azotit dhe pluhurit”, ka thënë Shabiu. 

E pulmologu Skënder Baca alarmon se këta ndotës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut, me pasoja edhe të përhershme.

“Fillimisht dëmtohet epiteli bronkial, e më vonë, nëse depërton në nivele më të ultë në bronkiole edhe alveole atëherë është rrezikshmëria më e madhe dhe dëmi është më i madh. Dëmi mund të jetë akut, për një kohë shumë të shkurtër ku mund të sanohet dhe të mos lërë asnjë pasojë. Por dëmi mund të jetë edhe kronik, e atëherë është problemi që dëmet janë të pakthyeshme. Ndikimi i këtyre kimikateve lë gjurmë, lë vragë d.m.th. lë pasoja të përjetshme edhe pasi ato më nuk janë prezente”, ka sqaruar Baca. 

Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian alarmohet gjithashtu se cilësia e ajrit në Kosovë nuk ka shënuar përmirësim gjatë vitit të fundit.