Në ditët e fundit të mandatit, presidentja Vjosa Osmani “e ka lëshuar dorën” për dekorata. Për një ditë ka ndarë të tilla, gati sa në tre vjetët e parë të mandatit. Pavarësisht kësaj të dhëne, nga Presidenca thanë se ceremonia e së hënës është diçka që është parë në çdo vit të mandatit
Gati sa në tre vjetët e parë të mandatit, presidentja Vjosa Osmani dha dekorata brenda një dite të vetme.
Të hënën ajo ndau medalje presidenciale, dekorata e mirënjohje për më shumë se 204 personalitete e organizata.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë vitet 2021 e 2022 i dha 70 dekorata e në 2023-tën 238 të tilla.
Në faqen e Presidencës nuk figurojnë të gjitha dekoratat që i ka dhënë Osmani gjatë 2024-tës e as 2025-tës.
Presidentja Osmani nderoi figura të LDK-së, UÇK-së, artisë, sportistë, fotografë e gazetarë, kompani, organizata e ansamble të valleve.
Për kah numri i dekoratave të ndara nga presidentët e deritashëm, ajo është pas presidentit Hashim Thaçi, i cili ka ndarë më shumë se 1 mijë e 600 sosh.
Në ceremoninë e organizuar nga Presidenca, krahas ambasadorëve morën pjesë edhe figura udhëheqëse të LDK-së, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie Gazmend Muhaxheri, deputetin Armend Zemaj, e nënkryetarin e Prishtinës, Shkëmb Manaj.
Prejse nuk ka siguruar mbështetje për t’u kandiduar për mandatin e dytë, ajo ka intensifikuar edhe takimet nëpër komuna duke takuar qytetarë.
Në kabinetin e presidentes Osmani thanë se ceremonia e së hënës ka qenë e zakonshme dhe paraqet atë që presidentja e ka bërë në vazhdimësi dhe kanë insistuar se është thjesht ushtrim i mandatit të saj kushtetues.
“Kjo ceremoni e përvitshme, sërish sivjet ka nderuar personalitete që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme. Kjo ka ndodhur çdo vit, rrjedhimisht edhe në vitin e pestë të mandatit. Pra, nuk është bërë veç në fund, por çdo vit të mandatit. Ceremonitë kanë qenë publike”, thuhet në një përgjigje të Presidencës.
Edhe në ceremoni Osmani arsyetoi veprimin.
“Republika e Kosovës është rrjedhë e pandërprerë brezash, e atyre që dhanë gjithçka e pa kursim dhe atyre, që edhe sot mbajnë mbi supe detyrën për ta çuar vendin tonë përpara, për ta mbajtur gjallë dhe për ta bërë edhe më të fortë”, pati thënë Osmani.
Edhe të mërkurën, presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, Kombëtaren e Kosovës në futboll. Ajo ka ndarë dekoratën në zyrë, ku një ditë pas humbjes ndaj Turqisë në ndeshjen që çonte në Botëror, ka pritur futbollistët, selektorin dhe përfaqësues të federatës. Osmani ka theksuar se me Medaljen Presidenciale të Meritave, Kombëtarja u kurorëzua me nderimin dhe respektin e një populli që është dhe do të jetë gjithnjë krenar me të. Sipas saj, përkundër rezultatit të së martës mbrëma, futbollistët i dhanë “gjithë kombit tonë diçka edhe më të vlefshme: shpresë”.
Mandati i Osmanit përfundon më 4 prill 2026.