Arbëri

Për 15 vjet u 55-fishua vota e diasporës

Numri i votave të diasporës është rritur për 55 herë, krahasuar me zgjedhjet e 2010-s. Ndikimi i kësaj vote në rezultatin e zgjedhjeve të fundit është 6.32 për qind, pa përfshirë këtu mërgimtarët që votuan fizikisht në Kosovë.

Për 55 fish është rritur numri i votave të diasporës, krahasuar me zgjedhjet e para të paspavarësisë.

Në zgjedhjet parlamentare të 2010-s, kanë qenë gjithsej 1053 vota të arritura me postë, ndërkaq në zgjedhjet e dhjetorit të 2025-tës janë rreth 60 mijë vota të vlefshme me postë dhe të hedhura në përfaqësi diplomatike.

E krahasuar me zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vjetëm, në dhjetor numri i votuesve nga diaspora ka rënë për 24.1 për qind.

Në shkurt qenë afër 80 mijë votues e në dhjetor rreth 60 mijë.

Ndikimi i votës së diasporës në rezultatin e zgjedhjeve të fundit është 6.32 për qind, pa përfshirë këtu mërgimtarët që kanë votuar fizikisht në Kosovë.

Sipas të dhënave në Sistemin e Menaxhimit të Integruar Kufitar nga 15 e deri më 21 dhjetor, një javë para zgjedhjeve, në Kosovë hynë 374 mijë persona, në rrugë tokësore e ajrore.

Në të njëjtën periudhë në vitin 2024, pa pasur zgjedhje, në Kosovë hynë 312 mijë, vetëm 62 mijë persona më pak.

Bazuar në këto statistika, njohësi i çështjeve politike, Basri Muja ka thënë se vota e diasporës ka pasur ndikim vetëm simbolik në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas tij, përcaktues në rezultat kanë qenë votuesit vendës të LDK-së që i janë kthyer LVV-së.

“Unë mendoj që tregimin e vet për dështimin 10-mujor e ka shitur më mirë LVV. Rezultatin apo ndryshimin e madh e ka bërë qëndrimi neutral i LDK-së, e cila sado që e ka pasur mundësinë të jetë pjesë e koalicionit qeveritar edhe me LVV-në por edhe me partitë opozitare, ka vendosur të qëndrojë neutrale”, ka thënë ai.

Nga votat në përfaqësi diplomatike, Vetëvendosja i ka marrë afër 87 për qind të tyre. E nga ato me postë mbi 72 për qind.

Muja ka thënë se kësaj radhe vota e diasporës ka qenë më e koncentruar te një parti politike, pasi sipas tij, Vetëvendosja ka punuar më shumë me të sesa tri partitë tjera parlamentare.

“Përpos që sjell vota mendoj sjell edhe një avantazh simbolik. Ajo parti e cila arrin t’i bindë diasporën, arrin të bindë votues cilësorë të cilët jetojnë në shoqëri demokratike ku funksionon shteti, funksionojnë institucionet por mbi të gjitha janë votues që janë të lirë prej ndikimeve klienteliste në vend. Sepse ne e dimë që votuesit rezidentë në Kosovë shpesh janë të nënshtruar ndaj ndikimeve të tilla”, ka deklaruar ai.

Pa u numëruar ende kanë mbetur edhe mbi 3 mijë vota të diasporës të ardhura përmes postës.