Rreth 165 mijë qytetarë që marrin pensione bazike të moshës janë të obliguar që ende të paraqiten tek autoritetet e shtetit çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë si kusht që t’u vazhdohet pensioni.
Një muaj më parë, Gjykata Supreme shfuqizoi disa pjesë të një udhëzimi administrativ që binte ndesh Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, pas ankesës së E.Sh.
Me vendim të Supremes tani disa kategori lirohen nga paraqitja, ndërsa dy të tjera janë të detyruar të paraqiten ende, siç e parasheh neni 24 i ligjit. Bëhet fjalë për pensionistët që marrin pensione bazike të moshës dhe ata që marrin pensione të parakohshme.
Çka thuhet në nenin 24 të ligjit?
Paragrafi 2:
Shfrytëzuesit e pensionit bazik të moshës dhe shfrytëzuesit e pensioneve të parakohshme duhet të paraqiten në zyrat e caktuara nga Ministria një herë në gjashtë muaj me dokumentet përkatëse të identifikimit.
Ndërkaq nga obligimi për t’u paraqitur çdo gjashtë muaj lirohen pensionistët kontributpagues të moshës, ata të paaftësisë së përhershme, ata që marrin pension invalidor të punës dhe pension familjarë.
Çka thuhet në vendimin e Supremes?
Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4 paragraf 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve. Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 5 paragraf 1, 2, 3 dhe 4 i këtij Udhëzimi.
Paragrafët e shfuqizuar pos që e heqin obligimin për paraqitje për këto kategori, ato heqin edhe masat sanksionuese në rast të mosparaqitjes.
Çka shkruhet në këto paragrafë të Udhëzimit Administrativ në fjalë:
1. Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar në nenin 4 paragrafin 2 të këtij udhëzimi, suspendohet përkohësisht nga pagesa e mëtejme e pensionit.
2. Pensionisti që është suspenduar sipas paragrafit 1 të këtij neni, i vazhdohet pagesa e pensionit, nëse pensionisti lajmërohet në zyrën përkatëse pensionale, brenda tre (3) muajsh nga data e suspendimit.
3. Në rast se pensionisti, lajmërohet brenda tre (3) muajve nga data e suspendimit, duke llogaritur muajin e lajmërimit, Departamenti i Pensioneve, përkatësisht zyra e pensioneve, është e detyruar të ia paguaj pensionet e papaguara maksimalisht për tre (3) muaj.
4. Në rast se pensionisti, nuk lajmërohet në afat prej tre (3) muajsh apo nëntëdhjetë (90) ditë, nga data e suspendimit, kërkesa e tij konsiderohet si riaplikim ndërsa pagesa do të rrjedhë nga dita (muaji) e paraqitjes së kërkesës.
Çka ndodhi pas vendimit?
Më 16 janar, KOHA raportoi se pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, të gjithë pensionistët detyroheshin të dëshmonin se janë gjallë.
E më 19 janar, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve doli me njoftim se disa kategori nuk e kanë më obligim të paraqiten.
Njoftimi:
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton pensionistët se disa kategori të pensionistëve nuk kanë më nevojë për paraqitje të rregullt para zyreve të pensioneve. Këto kategori janë përfituesit e pensioneve:
• kontributive,
• parciale kontributive, dhe
• familjare.
❗️Pensionistët e kategorive të tjera vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas legjislacionit në fuqi.
MFPT ka ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për të lehtësuar shërbimet për pensionistët, duke përfshirë:
• Ekipet mobile që ofrojnë shërbime në shtëpi për ata që nuk mund të paraqiten fizikisht, në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës;
• Thjeshtësimin e procedurave për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke eliminuar proceset e panevojshme dhe të lodhshme të rivlerësimit.
MFPT mbetet e përkushtuar për të siguruar shërbime më të thjeshta dhe më të shpejta për pensionistët duke ruajtur njëkohësisht integritetin dhe qëndrueshmërinë e skemave pensionale.
Pensioni bazik në Kosovë është 150 euro. Sipas statistikave të mirëqenies sociale, për tetorin e 2025-s, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në nivel vendi pension bazik marrin 164 mijë qytetarë.
Ndërsa kategoritë që lirohen, sipas këtyre të dhënave, përfshijnë rreth 70 mijë.