Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, u ka caktuar masën e paraburgimin prej një muaji tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës D.G., A.G. dhe B.S., të cilët të martën u arrestuan nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve D.G., A.G. dhe B.S., ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Tre zyrtarë të shërbimeve publike në Prishtinë janë arrestuar të martën pas një hetimi disaditor të organeve të rendit. Njëri nga zyrtarët është kapur duke i marrë 2 mijë euro ryshfet nga një punëkryerës, në mënyrë që të përshpejtonte pagesën për të nga Komuna. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ofruar bashkëpunim për organet e rendit, e Lëvizja Vetëvendosje në reagimin e saj ka thënë se ky rast nuk është i izoluar.