Deklaratat optimiste për vënien në lëvizje të vendimmarrjes së Bashkimit Evropian sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën nuk pritet të shoqërohen edhe me veprime konkrete drejt finalizimit të kësaj çështjeje.
Tema e vizave zyrtarisht nuk është në agjendën e Samitit të Bashkimit Evropian, por nuk përjashtohet ofrimi i mbështetjes politike për këtë proces.
Në Samitin që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, në rend dite është shqyrtimi i aplikacionit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për anëtarësim në BE.
Kjo konfirmohet edhe në letrën që presidenti i Këshillit të Ministrave të BE-së, Charles Michel, ua ka dërguar vendeve anëtare në prag të samitit.
“Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në dhe BE-ja është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, ne duhet ta ringjallim procesin e zgjerimit dhe të çojmë përpara integrimin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor. Ne do t’i takojmë ata përpara takimit zyrtar të Këshillit Evropian”, deklaroi Charles Michel.
Disa ditë para Samitit, Michel vizitoi edhe Kosovën. Në takim me të, kryeministri Kurti shfaqi shpresën për përkrahje në liberalizimin e vizave.
Diplomatë tjerë evropianë kanë bërë thirrje që Kosovës t’i hiqen vizat pa vonesa. I dërguari special i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Kosovës duhet t’i njihen meritat për reformat e përmbushura.
“Në Kosovë, Qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t'i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet të vijojnë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres”, u shpreh Sarrazin.
E, presidentja Vjosa Osmani, e cila përfaqëson Kosovën në Samit, ka thënë se udhëton me shpresë, por jo edhe me pritje të mëdha. Në prag të Samitit, Osmani ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, institucion ky që disa herë ka përsëritur kërkesën për liberalizimin e vizave.
“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri te mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Përveç Parlamentit, edhe Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte konstatuar përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, por që deri tash ka munguar vendimmarrja në Këshillin e Bashkimit Evropian.