Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar pas refuzimit të provave të paraqitura nga mbrojtja e ish kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, prova që dokumentojnë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
“Ky veprim është i papranueshëm dhe përbën një tjetër dëshmi të qasjes së njëanshme të kësaj gjykate, e cila po përpiqet ta paraqesë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës jashtë kontekstit të saj historik, duke mohuar krimet që sollën shkatërrim dhe gjenocid në vendin tonë. Të shpallësh të “parëndësishme” dëshmitë për masakrat dhe krimet serbe, do të thotë të mohosh të vërtetën dhe dhimbjen e një populli që luftoi për liri”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
Këtë vendim OVL-UÇK-ja e quajti arsye më shumë për të protestuar e për të ngritur zërin kundër kësaj padrejtësie që po u bëhet çlirimtarëve të Kosovës.
