Presidenca: Data e zgjedhjeve lokale caktohet ditët në vijim

1 d. më parë / 4 qer 2025 15:07
Osmani në takim me përfaqësuesit e partive politike

Data e zgjedhjeve lokale do të caktohet gjatë ditëve në vijim, ka njoftuar të mërkurën Zyra e Presidentes. 

Në njoftim thuhet se gjatë takimit të sotëm të presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesit e subjekteve politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, është folur mbi qëndrimet dhe propozimet e tyre për këtë datë. 

“Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, thuhet në njoftim. 

Krasniqi: E vështirë mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale në të njëjtën datë

1 d. më parë / 4 qer 2025 15:02
Memli Krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është e vështirë që zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen në të njëjtën datë. 

Ai tha se është e vështirë pasi ka disa afate Kushtetuese që duhet ndjekur, por shtoi se mund të mbahen më heret zgjedhjet e  përgjithshme të jashtëzakonshme.  

“Qëndrimi ynë si PDK, ju e dini ka qenë i ditur. Kemi shkuar edhe një hap tutje e kemi propozuar edhe datat e mundshme të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, por tashmë nuk është e mundshme. Unë nuk e shoh të mundshme që zgjedhjet të mbahen në të njëjtën datë, sepse afatet Kushtetuese janë kokëforta ne s`mundemi me e adaptu e as me interpretu Kushtetutën jashtë afateve. Po a  mundemi me mbajt zgjedhje të mëhershme para zgjedhjeve lokale, në kuptimin teorik e mundshme është . Kjo varet normalisht edhe nga vullneti i partive tjera politike, por ne si PDK jemi mundu gjatë gjithë kësaj kohe për me pas një rol konstruktiv i cili i jep rrugëdalje nga kjo krizë, nga ky moçal në të cilin na ka vendos Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Të gjitha opsionet janë të pranueshme nëse ato i japin drejtim një qeverie të re ku nuk është Albin Kurti”, tha Krasniqi.

Ai tha se "mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme brenda një procesi kushtetues edhe nëse nuk është zgjedhja e parë as e partive as e qytetarëve mund të bëhet e domosdoshme".

Krasniqi në një prononcim për media pas takimit konsultativ të partive me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se ai ka propozuar datat 12 tetor apo 19 tetor si data të mundshme për zgjedhjet lokale.

“Presidentja besoj se i ka marrë parasysh. S’ka shumë dallime te pjesa e datave sa në mesin e partive të mëdha e as atyre të minoriteteve. Pres në ditët në vijim të dekretohet data e zgjedhjeve”, tha Krasniqi. 

Ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti që mungoi në takimin konsultativ për zgjedhjet lokale të mbajtur sot.  

“Nga gjitha partitë e ftuara, vetëm kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje  e kryetari i Lista Sërpskas  munguan e bojkotuan këtë takim. Takim kaq i rëndësishëm që ndodh një herë në 4 vjet...Unë nuk po pretendoj që ata kanë bërë një marrëveshje por vertetë linte një shije të keqe kjo mungesë.”, tha Krasniqi. 

VIDEO:

VV-ja propozon që zgjedhjet nacionale të mbahen bashkë me ato lokale

1 d. më parë / 4 qer 2025 15:00
Albulena Haxhiu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmendur edhe idenë që në të njëjtën datë të zgjedhjeve lokale të mbahen edhe ato të përgjithshmet.

Kjo pasi sipas saj nuk po gjendet marrëveshje politike për krijimin e institucioneve.

Por ka theksuar se VV-ja është për konstituim të Kuvendit dhe formim të Qeverisë.

Ajo ka thënë se Osmani edhe në letrën që e ka drejtuar për Kuvendin, kryesuesit të seancës i kishte kërkuar që të gjitha partitë politike kanë për obligim që të diskutojnë që të gjejnë mënyrën për të dalë nga kjo situatë.

Haxhiu ka theksuar se ishte një ide që të shpallen dy palë zgjedhje, ato të jashtëzakonshme bashkë me ato lokale.

Ka shtuar se me këtë ide është pajtuar edhe Partia Demokratike e Kosovës .

“Qëndrimi ynë është për. Për neve është e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet, të votohet qeveria, por nëse sot ka qenë e 18-ta seancë prej 1 majit, prej kur ka filluar propozimi për votimin e fshehtë nuk ka vullnet atëherë ne nuk po shohim zgjidhje. Edhe PDK-ja është pajtuar besoj që edhe kryetari mund ta thotë këtë. Ideja ishte e imja për faktin se edhe sot e përmenda në paraqitjen para mediave dhe ju referuan asaj deklarate dhe unë isha shumë e vullnetshme që të diskutojmë edhe për këtë por ju e dini që duhet ta konstituojmë Kuvendin, duhet ta shpërndajmë Kuvendin, por për këtë duhet marrëveshje politike. Edhe një herë për ta qartësuar, qëndrimi i Lëvizjes është që të konstituohet Kuvendi, të votohet qeveria por meqë nuk ka vullnet politik mund t`i kemi të dyja zgjedhjet bashkërisht”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se sa i përket Vetëvendosjes, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale të mbahen sa më shpejtë aq më mirë.

“Nëse zgjedhjet shpallen nesër është mundësi që zgjedhjet të mbahen me datat 5, 12 dhe 19 tetor. Këto ishin dy-tri datat që u përmenden më së shumti. Qëndrimi ynë është që sa më herët që shpallen aq më mirë, duke pasur parasysh që mund të shkohet në balotazh. LVV-ja ka nisur me shpalljen e kandidaturave. Në komunat që udhëheqim do të vazhdojmë me kryetarët e njëjtë. Shumë shpejt do t’i kemi të gjitha kandidatët për kryetarë”, ka thënë ajo.

VIDEO:

Haradinaj propozon 12 tetorin për zgjedhje lokale

1 d. më parë / 4 qer 2025 14:59
Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Ai ka thënë se këtë e ka përmendur edhe në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani. Ka shtuar se është datë në përputhje me afatet ligjore.

“Sot, në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve komunale, propozova që këto zgjedhje të mbahen më 12 Tetor 2025. Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim”, ka shkruar ai në Facebook.