Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas thirrjeve antishqiptare që ndodhën në ndeshjen e basketbollit të zhvilluar në Kumanovë në fundjavë mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Osmani i ka quajtur të papranueshme thirrjet dhe tha se ato cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
Osmani ka thënë se është shqetësuese që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Maqedoni të Veriut ende nuk kanë reaguar. Ajo ka bërë thirrje që të merren masa të menjëhershme ndaj atyre që kanë bërë thirrje të tilla.
“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër. Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, thuhet në deklaratën e Osmanit.
Osmani ka shtuar se sporti duhet të jetë mjet bashkimi e jo platformë për ideologji të errëta.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE. Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Në ndeshjen e të shtunës në Kumanovë, të cilën Maqedonia e Veriut e humbi 80:72, pati thirrje e sllogane antishqiptare.
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, thërrisnin një pjesë e tifozëve në tribunë.
Pati edhe thirrje "vdekje shqiptarëve".
Të pranishëm në ndeshje ishin personalitete të larta shtetërore të Maqedonisë së Veriut, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Punëve të Jashtme, Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq.
Federata e Basketbollit e Maqedonisë së Veriut tha se distancohet dhe dënon “sjelljet e pahijshme të një pjese të vogël të tifozëve në ndeshjen Maqedoni – Rumani”.
E kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka kërkuar reagim publik nga zyrtarët më të lartë të Maqedonisë së Veriut.
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë. Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit. Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik. Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, ka shkruar Spiropali.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i ka dënuar thirrjet.
"Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit, në Kumanovë. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë. Ato përbëjnë një sulm ndaj bashkëjetesës, dhe barazisë që e bëjnë Maqedoninë e Veriut unike.
Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët për të gjithë: maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllahë, boshnjakë e të tjerë. Të gjithë kontribuojmë për këtë vend. Të gjithë meritojmë respekt. Sporti duhet të na bashkojë, jo të na ndajë. Thirrjet me frymë fashiste, nuk përfaqësojnë askënd prej nesh dhe nuk guxojnë të përsëriten më", ka shkruar Mexhiti në Facebook.