Arbëri

Osmani dhe Guerot flasin për rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve

Vjosa Osmani dhe ambasadori i Frances

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Franceze në Kosovë, Olivier Guérot. Sipas njoftimit të Presidencës, ata kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rëndësinë e funksionalizimit të plotë të të gjitha institucioneve të Kosovës.

“Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, rëndësia e funksionalizimit të plotë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, si dhe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës.”, thuhet në njoftim

Gjithashtu, sipas njoftimit dhe në prag të Samitit të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, Osmani dhe ambasadori Guérot diskutuan edhe për takimet që pritet të zhvillohen gjatë samitit, si dhe për koordinimin lidhur me një sërë çështjesh që do të trajtohen aty.

Tutje, Osmani ritheksoi përkushtimin e saj për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks të veçantë në fushën e sigurisë.