Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti pritet të takohen sot me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Sipas një njoftimi të Presidencës, ai do të takohet fillimisht me presidenten Vjosa Osmani.
“Në orën 10:00, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim përfaqësuesin e BE-së për Dialog, Peter Sorensen”, është bërë e ditur nga Presidenca.
Sorensen do ta takojë edhe Kurtin, në orën 11:00.
Pas Osmanit, Sorenseni pritet edhe nga Kurti
Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është pritur në takim edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të martën në objektin e Qeverisë.
Sorenseni paraprakisht u takua me presidenten Vjosa Osmani.
Për herë të fundit, raundi i dialogut Kosovë – Serbi ishte mbajtur më 10 qershor. Pas takimit mes kryenegociatorëve, emisari i BE-së pati thënë se po bëheshin përgatitje për takim të nivelit të lartë.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para se një grup serbësh të armatosur, në krye me Milan Radoiçiqin, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Osmani i ankohet Sorensenit për masat e BE-së, kërkon dialog të paanshëm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ka kërkuar largimin e masave të Bashkimit Evropian, të cilat i ka quajtur të padrejta.
Ajo ka thënë se nga to, po preken më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës.
Siç bëhet e ditur nga një komunikatë për media, në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta.
Komunikata sqaron se Osmani trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian. Tutje, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme”, thuhet në komunikatë.
Ndërlidhur me Dialogun, Osmani thuhet ta ketë theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi.
Osmani takon Sorensenin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në Presidencë të mërkurën paradite emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Pas takimit me Osmanin, Sorenseni do ta takojë Kurtin.
VIDEO: