Arbëri

Osmani dekoron kryeministrin e Malajzisë me Urdhrin e Pavarësisë

Vjosa Osmani

Presidentja, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në në Malajzi, sot është pritur me nderime të larta shtetërore nga kryeministri Anwar bin Ibrahim, të cilin e ka dekoruar me Urdhrin e Pavarësisë.

“Në shenjë mirënjohjeje për njohjen dhe kontributin nga shteti i Malajzisë për pavarësinë e Kosovës, procesin e shtetndërtimit dhe përkushtimin e tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, Presidentja Osmani e dekoroi kryeministrin Anwar Ibrahim me Urdhrin e Pavarësisë”, thuhet në një njoftim të Presidencës. 

Tutje thuhet se Osmani ka falënderuar kryeministrin Anwar për mbështetjen e palëkundur që Malajzia i ka dhënë Republikës së Kosovës, duke theksuar se ishte ndër shtetet e para në botë që e njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

Osmani thuhet se e ka falënderuar Anwarin edhe për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, “duke theksuar se ky vendim do të hapë mundësi të reja për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve të të dy shteteve, por edhe në bashkëpunimin në sfera të interesit të përbashkët”.

Gjatë takimit thuhet se është diskutuar për mundësitë për bashkëpunim në sferën e ekonomisë, tregtisë, inovacionit, turizmit, dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

“Në këtë kontekst Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbajtjes së një forumi ekonomik Kosovë–Malajzi. Presidentja Osmani e ftoi Kryeministrin Anwar për një vizitë zyrtare në Kosovë, si dëshmi e vullnetit të përbashkët për ta avancuar më tej këtë partneritet”, thuhet në njoftim.