Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, Alicia Kearns.
Kearns njihet ndryshe edhe si deputetja e cila kishe alarmuar se në Kosovë po kontrabandoheshin armë nga Serbia dhe po ruheshin në kishat ortodokse serbe. Kearns kishte deklaruar po ashtu që armët po barteshin me autoambulanca. Vetëm dy muaj pas, kishte ndodhur sulmi i Banjskës.
Presidentja Osmani në njoftimin për dekorimin e saj, ka deklaruar se i shpreh mirënjohje të thellë për angazhimin e vazhdueshëm në ngritjen e vetëdijes për rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor.
“Gjatë ceremonisë, Presidentja shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin e vazhdueshëm të deputetes Kearns në ngritjen e vetëdijes për rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast, Presidentja Osmani e cilësoi deputeten Kearns si një mike të madhe të Kosovës, duke theksuar se populli i Kosovës është përzemërsisht falënderues për përkrahjen e saj të vazhdueshme, si dhe për kontributin në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në njoftimin e Presidencës.