Egzon Osmanaj nga Fondacioni “Friedrich Ebert” e ka quajtur hap pozitiv zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës të martën. Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës bënë hapin përpara drejt zhbllokimit të situatës.
E, sa i përket mosvotimit nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Osmanaj ka theksuar se nuk e kanë respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ka qenë gabim strategjik i tyre mosmarrja pjesë në votim”, u shpreh ai.
Osmanaj ka thënë se tash nevojitet fillimi i negociatave mes partive politike për formimin e qeverisë. Megjithatë, ka theksuar se çfarëdo qeverie që të themelohet në këto rrethana, “shqetësimi është se do të jetë jashtëzakonisht e brishtë, jo shumë e fuqishme për të vazhduar për mandatin e plotë”.
“Me votimin dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, është momenti që të ndryshojë edhe gjuha, me tentu të ketë përafrim mes partive që të ketë dakordim për të krijuar shumicë parlamentare për formimin e qeverisë, ose shkojmë në zgjedhje. Duket e vështirë të kemi shumicë parlamentare shumë shpejt dhe kjo do jetë sfidë e madhe për LVV-në, por edhe për partitë e tjera duke përjashtuar Listën Serbe pasi të dy blloqet kanë theksuar se refuzojnë bashkëpunim me të. Shpresoj se tash do ketë diskutime dhe negociata të LVV-së dhe akterëve të tjerë”, ka deklaruar ai në emisionin “60 Minuta”.
Pas gati shtatë muajsh prej zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës të martën ka zgjedhur kryeparlamentarin e ri. Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 73 vota pro për të marrë postin e kryetarit të Kuvendit. Për këtë post, Basha mori vota edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Vonesa janë shfaqur te propozimi i Listës Serbe për Sllavko Simiqin. Pas tri dështimeve, partia nuk propozoi më emra të tjerë, e kryetari Basha vendosi për hedhje të shortit. E pasi disa emra dështuan edhe në short, Basha vendosi që seanca të vazhdojë të enjten. Pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar.