Në mungesë të pajisjeve teknologjike, nxënësit e disa shkollave të Prishtinës e kanë mbajtur testin ndërkombëtar PISA jashtë ambienteve të tyre shkollore. Ndër ta edhe 62 nxënës të gjimnazit “Xhevdet Doda”, të cilët janë zhvendosur në shkollën “Don Bosko”, ku do të mbahet testi për disa shkolla të kryeqytetit. Këtë vit, testi po realizohet për herë të parë në mënyrë tërësisht digjitale, me fokus në shkencë dhe mjedis
Një nga një, 62 nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” u thirrën për t’u sistemuar në sallat ku u mbajt testi ndërkombëtar PISA.
Kjo shkollë ishte në radhë të martën për të zhvilluar testin.
Pasi që shkolla e tyre nuk ka pajisje të mjaftueshme teknologjike për realizimin e tij, nxënësit janë zhvendosur në shkollën “Don Bosko”, ku testi do të mbahet edhe për tetë shkolla të tjera të kryeqytetit.
Testi nuk është vlerësuar i vështirë nga nxënësit, ndonëse disa prej tyre patën kritika për pyetjet me përmbajtje personale.
"Testi nuk qe shumë i vështirë, më shumë kanë qenë pyetje logjike. Por mendoj që kishte qenë më mirë me qenë më i shkurtër dhe mos me pasë pyetje personale", ka thënë një nxënës.
Një tjetër nxënëse, po ashtu ka shprehur kritikën për këso lloj pyetjesh.
"Disa pyetje kanë qenë pak personale, por të tjerat kanë qenë në rregull. Zakonisht i kemi mësuar në shkollë fillore dhe tash të mesme, kështu që pyetjet kenë normal as shumë të vështira, as shumë të lehta", ka thënë ajo.
Këtij testi, që ka nisur të hënën, deri tani i janë nënshtruar 124 nxënës në kryeqytet, nga të cilët 62 janë të shkollës “Don Bosko” dhe 62 të tjerë nga gjimnazi “Xhevdet Doda”.
Pëllumbesha Marku-Marniku, koordinatore e testit PISA në shkollën “Don Bosko”, ka thënë se deri tani gjithçka ka shkuar sipas planit.
“Në shkollën tonë ne kemi mbajtë vazhdimisht përgatitje deri para dy ditëve, kur ishte përgatitja e fundit për testin PISA. Dje ka shkuar shumë mirë procesi, ka qenë shkolla jonë dje. Në fund nxënësit janë shprehur që nuk ishte i vështirë, jo ashtu siç ata e kanë menduar. Ndoshta ka ndihmuar edhe ajo pjesa që kanë mbajtë, kanë shikuar se si ka qenë testet paraprake të formuluara, kështu që besoj se ju ka ndihmuar edhe kjo”, ka thënë Marku-Marinku.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se me gjithë përpjekjet e Ministrisë, përgatitjet për testin PISA nuk kanë qenë të mjaftueshme për të garantuar rezultate të mira.
“Arsyet që nuk i tregojnë aftësitë e tyre në testin PISA është që testi mbahet përmes kompjuterit e nxënësit nuk janë të përgatitur për kompjuter edhe testi bëhet në mënyra që nuk është e zakonshme me i vlerësu fëmijët tanë nëpër shkollat tona. Prandaj konsideroj që nuk janë bërë përgatitjet e duhura që me i kompensu këto mungesa të nxënësve tanë që me tregu dijen e vet, nuk kanë nevojë me tregu më shumë sesa dijen e vet”, ka thënë ai.
Këtë vit, testi PISA do të mbahet në 239 shkolla të Kosovës, duke përfshirë rreth 7,300 nxënës pesëmbëdhjetëvjeçarë.
Fokusi kryesor këtë herë është shkenca dhe mjedisi, ndërsa do të zgjasë deri më 30 maj.
Për herë të parë në vend, testi po zhvillohet tërësisht në mënyrë digjitale.
Kosova për herë të katërt po merr pjesë në testimin që organizohet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
Në tri testet e kaluara nxënësit kosovarë kanë dalë ndër më të dobëtit.