Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e rrëzimit të fasadës së një objekti në Fushë-Kosovë për shkak të erërave të forta.
Komuna ka njoftuar se Inspektorati ka dalë në terren për të inspektuar objektin ku ka ndodhur rënia e fasadës së ndërtesës.
"Për arsye sigurie, zona është rrethuar dhe janë vendosur shirita mbrojtës për të parandaluar rrezikimin e qytetarëve. Si pasojë e kësaj ngjarjeje, një veturë ka pësuar dëme materiale, ndërsa një person ka mbetur i lënduar dhe aktualisht po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare", thuhet në njoftim.
Drejtori i Shërbimeve Publike i kësaj komune, Izja Mjeku, ishte i pari që ka njoftuar për rastin, duke thënë se ka ndodhur pranë shkollës “Mihal Grameno” gjatë mbrëmjes.
“Për shkak të erërave të forta që po mbizotërojnë aktualisht në Fushë Kosovë, rreth orës 21:00 kemi pranuar një telefonatë se te shkolla Mihal Grameno ka rënë fasada e një objekti. Si pasojë, një person i rastit është lënduar, një veturë është dëmtuar dhe është shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion”, ka shkruar Mjeku në Facebook.
KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Policia në lidhje me rastin, sapo të jenë të qasshëm artikulli do të përditësohet.