Qeveria e Kosovës tash e tri javë nuk ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve shtesë për organizimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor. Anëtarë të KQZ-së ngritën alarmin për dështimin e operacioneve zgjedhore që lidhen me votimin jashtë vendit në mungesë të parave, derisa kryesuesi Kreshnik Radoniqi u shpreh i bindur se procesi nuk do të rrezikohet në asnjë formë
Votimi jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale rrezikon të dështojë në mungesë të buxhetit për zhvillimin e tij, ashtu siç është paraparë me ndryshimet e fundit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tash e tri javë nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria në lidhje me kërkesën për mjete shtesë në vlerë prej 6.5 milionë eurosh për realizimin e disa operacioneve zgjedhore.
Nga këto mjete 2.5 milionë euro është planifikuar të kushtojë organizimi i votimit me postë dhe tërheqja e dërgesave postare.
Siç ka mësuar KOHA, edhe 350 mijë euro pritet të shpenzohen në projektin për transparencë në qendrat komunale të numërimit dhe në Qendrën e Numërimit e të Rezultateve.
E 290 mijë euro janë planifikuar të shpenzohen për softuerin për rezultatet preliminare, pastaj rreth 260 mijë për rekrutimin e stafit të nevojshëm dhe pagesat për anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore dhe 144 mijë euro për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave e listave zgjedhore.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka thënë se masat e planifikuara për përmirësimin e procesit zgjedhor janë mësime të nxjerra nga telashet, me të cilat janë përballur në zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt.
“Frikësohem, qofsha i gabuar në këtë konstatim, por frikësohem që në qoftë se nuk ndahet ky buxhet do të përballemi me problemet e njëjta ashtu siç kanë ndodhur më 9 shkurt. Për këtë arsye ne kemi marrë masat adekuate, kemi ndryshuar rregulloren në mënyrë që të marrim masa preventive dhe të mos lejojmë që ajo çfarë ka ndodhur dhe skenat të cilat i kemi parë nëpër diasporë të mos ndodhin më”, është shprehur ai.
Çështjen e buxhetit ende të paaprovuar nga Qeveria, Gashi e ka ngritur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të enjten. Pati dakordim që javën tjetër Sekretariati të raportojë në lidhje me kërkesën për buxhet shtesë.
I pyetur për rrezikun e dështimit të disa prej operacioneve zgjedhore të parapara, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se publiku do të njoftohet me kohë.
Ndaj pyetjeve drejtuar kryesuesit Radoniqi ka reaguar anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi.
Në lidhje me mosmiratimin e buxhetit shtesë të kërkuar dhe rrezikun e dështimit të veprimeve zgjedhore, nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje që nga e marta.
Sipas planit, KQZ-ja pret që organizimi i zgjedhjeve lokale më 12 tetor të kushtojë rreth 16 milionë euro, prej së cilave 9.6 milionë i ka në dispozicion nga buxheti i ndarë për këtë vit.