Dimal Basha sot u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Deputeti i VV-së i mori 73 vota për këtë post. I njohur për nxitje të debateve e përplasjet e shumta, Basha në vitin 2022 kishte marrë titullin “Fitili i Kuvendit” në listën e personaliteteve të vitit nga KOHA Ditore.
Përmbajtja e artikullit nga arkivi:
Personalitetet e vitit 2022: Dimal Basha – Fitili i Kuvendit
Dimal Basha është mes atyre deputetëve që më së shumti ndezi debate në Kuvend.
Flakë më të madhe mori debati me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, jo veç në Komisionin parlamentar për arsim, por edhe në korridorin e Kuvendit. Akuzat e tensionet u bënë virale, e deputeti i LVV-së tregoi pse fliste me zë të lartë: “Po piskas more se s’merr vesh ti ndryshe”.
Përplasje pati edhe me deputetin e PDK-së, Ardian Kastrati. E akuzoi për jokompetencë që t’ua qante hallin mësuesve grevistë dhe nxiti reagime kur arsyetoi epitetin “hajn” që ia dha Kastratit: “Do të thotë kur vjedh në shkronja, paramendo çka bën me ia lënë kuletën atij”.
Përplasjet nuk i munguan as me pushtetin. Një të tillë e pati me ministrin Liburn Aliu, kur në Kuvend u diskutua projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje. E porositi që në Kuvend të mos sillte ligje diskriminuese dhe ia rikujtoi se, sa ishte në opozitë, vetë Aliu e kishte kritikuar ligjin që tani e sponsorizon.
Ndërsa lëvdatat thuajse kurrë nuk i munguan për kryeministrin. Ia dha epitetin e revolucionarit dhe tha të jetë krenar që jeton në kohën kur ai qeveris.
