Pas gati shtatë muajsh prej zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryeparlamentarin e ri. Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 73 vota pro për të marrë postin e kryetarit të Kuvendit. Për këtë post, Basha mori vota edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Të gjitha zhvillimet për këtë çështje mund t’i përcillni këtu
Limaj: VV-ja të shpjegojë vonesën e deritashme
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas zgjedhjes së Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, kërkoi që Lëvizja Vetëvendosje të japë një shpjegim për qytetarët e Kosovës lidhur me vonesat në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Le të japë një shpjegim pse e kanë vonuar vendin deri me tani sa muaj. Shpresoj që do ta kenë një shpjegim para qytetarëve të Kosovës pse është vonuar vendi deri me tani”, tha Limaj, raporton EO.
Basha u zgjodh sot kryeparlamentar pas muajve të tërë ngërçi në Kuvend. Ai mori 73 vota për, duke marrë mbështetje edhe në Partinë Demokratike e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Nisma në vazhdimësi ka abstenuar me tre deputetët e vet. Kjo parti pati thënë se është Limaj ai që duhej të bëhej kryetar i Kuvendit.
Abdixhiku: Fitore e injorancës
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës zgjodhi Dimal Bashën kryetar të Kuvendit.
“Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë. Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithsesi ky është niveli i tyre. Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës. LDK aspiron më lartë. Kosova duhet të aspirojë lartë. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë”, ka shkruar ai në Facebook.
LDK-ja votoi kundër për Bashën.
Megjithatë ai mori 73 vota pro, duke marrë votat e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa pati vota pro edhe nga PDK-ja e AAK-ja.
Vijnë urimet e para për Bashën kryeparlamentar
Bajram Begaj, president i Shqipërisë, ka uruar Dimal Bashën për zgjedhjen si kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Urime, z. Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”, ka shkruar ai në Facebook, pak pasi Basha mori shumicën për t’u bërë kryeparlamentar.
Bashën e ka uruar edhe Ambasada e Gjermanisë, duke theksuar se shpresojnë që “tani Kosova të mund të ecën përpara në formimin e institucioneve”.
Basha mori 73 vota për, në seancën e të martës, pas gjashtë muajsh ngërçi në Kuvend.
Krasniqi: As deputetët e VV-së nuk ishin të lumtur me zgjedhjen e Bashës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se fjalën që e kanë dhënë e kanë mbajtur sot. Sipas tij, nuk janë të lumtur që Dimal Basha është kryetar i Kuvendit. Ka deklaruar se madje as deputetët e Vetëvendosjes nuk janë të lumtur.
“I patë me fytyra të varura”, ka thënë ai për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kraniqi ka thënë se VV-ja u ka humbur kohë që të merren me tema që u interesojnë qytetarëve. Ka shtuar se LVV-ja u dorëzua para ligjit.
Ai ka përmendur, Gluak Konjufcën, Saranda Bogujevci e Shqipe Selimin si kandidatë më të mirë për të marrë pozitën e kryekuvendarit.
“Qytetarët e kanë parë qartë se sa i vlerëson Albin Kurti”, ka thënë ai. “Vetëvendosja e ka vënë në grackë gjithë popullin e Kosovës, ose edhe ata kanë rënë vetë sepse kanë menduar që nuk ua votojmë pa konsultë”.
Kryetari i ri i Kuvendit: Ngërçi, shkollë që i shërbeu demokracisë
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se ndjen përgjegjësinë e madhe që i është besuar.
Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi sakrifica.
Basha ka falënderuar gratë e Kosovës për kontributin.
“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në. Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe unifikim.
“Shumica prej nesh dallojmë me parti por qytetarët presin që të jemi të bashkuar në objektivat tona, si zhvillimi ekonomik, forcimi i së drejtës e mbi të gjitha mbrojtja e integritetit territorial”, ka thënë ai.
Ai ka lavdëruar punën e bërë në veri të vendit, duke thënë se është minimizuar krimi në atë pjesë.
Sipas tij, mbrojtja e republikës është detyrë e të gjithëve.
Basha i ka bërë thirrje Serbisë që të sillet në mënyrë demokratike.
Kush është Dimal Basha, kryetar i ri i Kuvendit?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha me 73 vota pro të martën u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës.
Biografia e tij, e publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje:
Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”
Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.
Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së.
Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.
Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje! Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.
Dimal Basha zgjidhet kryeparlamentar
Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Pro emrit të tij votuan edhe një grup i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai mori 73 vota pro. Kundër ishin 30 deputetë.
Ishte hera e dytë që emri i Bashës u propozua për kryeparlamentar. Në përgjithësi ishte emri i pestë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Me zgjedhjen e Bashës kryeparlamentar, Kuvendi i jep fund më shumë se 60 seancave dështim në zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët i kanë mbajtur dhjetëra vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.
Pas një ore pritet votimi i nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Gjithsej janë pesë nënkryetarë që pritet të zgjidhen.
VV-ja propozon Dimal Bashën për kryeparlamentar
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Basha ishte propozuar edhe të dielën, por nuk i mori votat e mjaftueshme.
Krasniqi: Nëse VV-ja e konsideron Bashën përfaqësues të denjë, ne e votojmë
Krasniqi: Nëse VV-ja e konsideron Bashën përfaqësues të denjë, ne e votojmë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje e konsideron deputetin Dimal Basha si përfaqësues të denjë, atëherë partia e tij do ta votojë pro për postin e kryeparlamentarit.
Në prag të seancës së re të Kuvendit, Krasniqi ka kërkuar që grupet parlamentare të takohen për t’u koordinuar për votimin e një kandidati për kryeparlamentar për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, kjo edhe për t’u siguruar që VV-ja është e sigurt se ai është kandidat i denjë për ta votuar për kryeparlamentar.
Ka shtuar se Dimal Basha nuk i plotëson kriteret dhe as nuk është i denjë për kryekuvendar.
“Mënyra se si e kanë propozuar në mënyrë tendencioze të befasishme nuk ishte për ta zgjedhur në të vërtetë ishte më shume taktizim. Ne i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë që e votojmë një kandidat qe nuk ka qenë pseë e ekzekutivit por kërkesa jonë si sot si atë ditë ka qenë t’i tregojmë Vetëvendosjes që me një kandidat të tillë e degradon”, ka thënë ai
“Qëllimi është i përgjegjshëm. Nuk e besoj që Basha është i përfaqësuesi më i mirë i VV-së për të qenë në krye të Kuvendit. Ne para dy ditësh kemi dashur t’u themi që nëse e keni taktizim mos e bëni, se nuk luhet me Kuvendin siç keni luajtur deri më tash”, ka shtuar Krasniqi.
Ai ka thënë se i kanë diskutuar emrat e VV-së, porse sipas tij, Basha nuk është i duhuri.
“Bashën ua votojmë edhe sot, por edhe ata e dinë që ai nuk është i duhuri”, ka thënë ai.
PDK-ja mblidhet për koordinim para votimit të kryeparlamentarit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se para seancës së sotme për konstituim të Kuvendit, deputetët e kësaj partie do të mblidhen për t’u koordinuar rreth qëndrimit për votimin e kryeparlamentarit.
Seanca e re do të nisë në orën 11:00.
Votimi i fundit, ai për Dimal Bashën, nxiti reagime më shumë për shkak të zotimit të Partisë Demokratike se do të votonte për deputetë që nuk kanë qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti. E në votimin për Bashën kjo parti abstenoi. Në arsyetimin pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kanë kërkuar pauzë për t’u konsultuar për ta votuar Bashën. Nga Lëvizja Vetëvendosje kjo u cilësua si “shpërfaqje” që PDK-ja nuk e ka pasur problemin me emra, por se “nuk e do konstituimin e Kuvendit”.
Haradinaj: Nëse VV-ja e ka më të mirin Dimalin, bën edhe ai
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se deputeti i LVV-së, Dimal Basha nuk është preferencë e tyre për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ai shtoi se ende s’kanë vendosur nëse do të votojnë për nëse i njëjti propozohet sërish në seancën e sotme të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj, duke hyrë në objektin e Kuvendit, pak para vazhdimit të seancës konstituive për herë të 58-të, tha se preferencë e tyre për kryeparlamentar është deputeti tjetër i LVV-së, Glauk Konjufca.
Sipas tij, profili i kryekuvendarit duhet të gëzojë autoritet dhe respekt tek të gjithë deputetët, mirëpo siç tha nëse LVV-ja e ka më të mirin Dimalin dhe niveli i tyre mundet me qenë ky, atëherë mund t’ia japin votën edhe atij.
“Ne kemi preferencë. Kishim preferuar Glaukun dhe i kemi përmend edhe preferencat tona. Tani të shohim, por Dimali nuk është preferenca jonë, megjithatë të shohim...Ka edhe shumë të tjerë, mos t’i përmendi pasi shkaktojmë irritim brenda tyre. Ka plot, mund t’ia japim votën edhe Dimalit, por mendoj se LVV-ja ka edhe opsione të tjera...Nuk e di, pasi ende s’kemi vendos. Kam ardh më herët dhe tani do të sqarojmë....Profili i atij që udhëheq me Kuvendin mirë është me qenë dikush që gëzon autoritetin dhe respektin të plotëve...Nëse LVV-ja e ka më të mirin Dimalin, ky është niveli i tyre mundet edhe ky”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar edhe pas gjashtë muajsh prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, kanë dështuar të marrin shumicën e mjaftueshme për t’u bërë kryeparlamentar.
Në tri seanca të mbajtura deri tash pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin, Arbërie Nagavcin e Dimal Bashën.
Vetëm votimi i fundit, ai për Bashën, nxiti reagime më shumë për shkak të zotimit të Partisë Demokratike se do të votonte për deputetë që nuk kanë qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti. E në votimin për Bashën kjo parti abstenoi.
Në arsyetimin pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kanë kërkuar pauzë për t’u konsultuar për ta votuar Bashën. Nga Lëvizja Vetëvendosje kjo u cilësua si “shpërfaqje” që PDK-ja nuk e ka pasur problemin me emra, por se “nuk e do konstituimin e Kuvendit”./KosovaPress
Kush do të jetë deputeti i radhës që do të propozohet për kryeparlamentar?
Pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dështuar të marrin shumicën e mjaftueshme për t’u bërë kryeparlamentar.
Në tri seanca të mbajtura deri tash pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin, Arbërie Nagavcin e Dimal Bashën.
Vetëm votimi i fundit, ai për Bashën, nxiti reagime më shumë për shkak të zotimit të Partisë Demokratike se do të votonte për deputetë që nuk kanë qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti. E në votimin për Bashën kjo parti abstenoi. Në arsyetimin pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kanë kërkuar pauzë për t’u konsultuar për ta votuar Bashën. Nga Lëvizja Vetëvendosje kjo u cilësua si “shpërfaqje” që PDK-ja nuk e ka pasur problemin me emra, por se “nuk e do konstituimin e Kuvendit”.
E sot, e martë, Kuvendi mblidhet sërish në orën 11:00. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka paralajmëruar ndonjë emër e as nga PDK-ja nuk është treguar se si do të veprohet në rast të ndonjë emri “befasi”.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë për asnjë kandidat pa ndonjë marrëveshje, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do të votonte pro Glauk Konjufcës, Shqipe Selimit dhe Saranda Bogujevcit.
Nisma me tre deputetë në vazhdimësi ka abstenuar.
Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.
Deputetët mblidhen sërish në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin
Në ditën e 133-të nga bllokada institucionale do të mbahet një seancë tjetër për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Nga partitë politike nuk ka pasur sinjale se sot do të mund t’i jepet fund ngërçit i cili ka nisur që nga 15 prilli.
Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u kanë mbetur edhe 23 ditë afat kushtetues për ta konstituuar Kuvendin.
Seancën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavcin dhe deputetin Dimal Basha. Asnjëri nga ta nuk mori votat për kryeparlamentar.
Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët i kanë mbajtur dhjetëra vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.