Arbëri

Basha – ambasadorëve ndërkombëtarë: Po na shitni përralla, vini masa Serbisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pas shprehjes së shqetësimit nga shefi i EULEX-it dhe ambasadorët ndërkombëtarë për dorëheqjen e tre policëve të rinj serbë të Kosovës. Ai ka thënë se ndërkombëtarët duhet t’i vënë masa Serbisë dhe jo Kosovës.

Të enjten, Giovanni Pietro Barbano, shef i misionit të sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ka thënë se e sheh me shqetësim këtë zhvillim. Pas tij reaguan ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë e më vonë edhe presidentja Vjosa Osmani që ka vlerësuar se dorëheqja e policëve është rezultat i kërcënimeve dhe i frikësimeve të vazhdueshme ndaj tyre nga Serbia.

“Shefi i EULEX-it dhe plotë ambasadorë paskan reagu duke thanë që jemi duke i përcjellë me shqetësim dorëheqjet e fundit të 3 serbëve të Kosovës të saporekrutuar! Po na shitni përralla për besë, sepse me qenë vërtetë të shqetësum i kishi vë masa Serbisë, e jo Kosovës”, ka shkruar Basha në Facebook.

Image

Policët e rinj u betuan pak javë më parë. Numër i konsiderueshëm policësh dhe zyrtarësh tjerë u larguan muaj më parë nga puna, pas vendimit të Qeverisë për riregjistrimin e veturave që kanë targa ilegale nga Serbia.

Në zgjedhjet e reja - të bojkotuara nga serbët - në komunat në veri fituan politikanët shqiptarë dhe nisja e punës së tyre nga objektet komunale u prit me protesta të dhunshme. Protestat e dhunshme nxitën tensione, që më pas u pasuan me diskutime në dialog mes dy shteteve.

Me Bashkimin Evropian u arrit dakordimi për veprime nga ana e Qeverisë së Kosovës për shtensionim. Fillimisht është ulur numri i pranisë së policëve, ndërsa hap i ardhshëm është kërkuar të jetë shpallja e zgjedhjeve të reja.

Qeveria tashmë ka nisur procedurat për hartimin e një udhëzimi administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largim të komunave. Qeveria ka refuzuar idenë e dorëheqjes së kryetarëve në katër komunat në veri.

Ndërkombëtarët kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për dërgimin e Policisë në objektet komunale dhe Kosova tashmë është nën sanksione nga BE-ja për shkak të ngjarjeve në veri.