Arbëri

Në Prizren shqiptohen gjoba për shkelësit

Policia dhe inspektorët përkatës në Prizren po vijojnë monitorimin e respektimit të masave anti-COVID nga qytetarët. Në rast të mosrespektimit të tyre po shqiptohen gjoba sipas legjislacionit në fuqi. Një aksion i tillë është realizuar edhe të mërkurën mbrëma në qendër të qytetit

Shqiptimi i gjobave për mosrespektimin e masave anti-COVID po realizohet edhe gjatë orëve të natës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës bashkë me inspektorët e AVUK-ut dhe të Komunës janë angazhuar në monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të masave anti-COVID nga qytetarët e Prizrenit.
Për shkelësit e këtyre masave, sipas zyrtarëve policorë, janë shqiptuar 291 gjoba.

Zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Prizren, Nexhdet Mrasori, ka pohuar se qëllimi nuk është shqiptimi i gjobave, por zbatimi i masave për ruajtjen e shëndetit publik.

"Kemi dalë për të shikuar a po zbatohen këto masa. Më herët isha edhe te qendrat tregtare ‘Abi Çarshia’ dhe ‘Galeria’, dhe është vërejtur se në ora 21:30 janë mbyllur të gjitha lokalet, sikurse edhe këtu në sheshin ‘Shadërvan’, që janë duke e zbatuar këtë vendim. Personave fizikë dhe juridikë, të cilët nuk i respektojnë këto masa, do t'ju shqiptohen gjoba", ka deklaruar Nexhdet Mrasori.

Gjobat janë shqiptuar kryesisht për mosvendosjen e maskave, mosrespektimin e orarit, për mosrespektimin e distancës, shërbimin brenda lokaleve, por edhe për mosrespektimin e kufizimit të lëvizjes.

“Angazhimet policore janë të përqendruara jo vetëm ditën, por edhe natën. Të gjithë qytetarët e dinë se ka kufizim të lëvizjes nga ora 22 deri në orën 5 të mëngjesit, kemi mbylljen e lokaleve të gastronomisë nga ora 21:30, si dhe ndalimin e muzikës nga ora 21:00. Andaj, policia bashkë me inspektorët e AVUK-ut, inspektorët komunalë në Prizren është duke i zbatuar këto masa, duke monitoruar dhe kontrolluar situatën në terren, ka bërë të ditur Shaban Osmanollaj, zëdhënës i Policisë Rajonale në Prizren.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në territorin e Kosovës janë shqiptuar mbi 4200 tiketa në bazë të Ligjit COVID-19.