Ka nisur protesta e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Motoja e protestës është “Qeveri – Kompani, është bërë vonë, kthjelluni ose lamtumirë”.
Protesta ka nisur në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe pastaj protestuesit do të ecin deri te objekti i Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi tha se nëse nuk do të rriten pagat deri me 1 shtator atëherë sektori privat do ta bojkotojë punën.
Azemi tha se institucionet shtetërore në vend, punëtorët e sektorit privat i kanë trajtuar si skllevër.
“Kemi ardhur në një shkallë që të kërkojmë kërkesat tona. Në Kosovë po marrim pagë 232 euro, e deputetët për pesë minuta punë në seancë po i marrin 200 euro. E më e keqja nuk po e kryejnë funksionin e tyre. Punëtorët e sektorit privat i keni trajtuar si skllevër dhe një trajtim të tillë nuk ka në Evropë. Ne kemi pasur rezultate por të cilët kanë qenë ato të cilat i kemi shty me gjoks përndryshe nuk keni qenë komunikues të mirë. Edhe sot kemi punëtorë ku paguhen me 232 euro dhe pushtetarët tanë kanë shkuar në Gjermani dhe i thirrni njerëzit me u kthye në Kosovë për punë. Që nga dita e sotme ne japim një afat deri me 1 shtator nëse paga minimale nuk do jetë 600 euro, ne në mënyrë unanime do t’i bojkotojmë dhe të mos kryejmë punën tonë, nuk po kërkojmë luks”, tha Azemi.
Për 1 Maj edhe Sindikata e Re e KEK-ut ka organizuar protestë e cila është mbajtur në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Pjesë e protestës ishin edhe Kolektivi Feminist, Qendra Sociale “Përpjekja” si dhe aktiviste/ë të pavarur.