Pjesëmarrja e të miturve në tubime politike është vlerësuar si e papërshtatshme dhe me pasoja për zhvillimin e tyre nga psikologë dhe organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Reagimet janë nxitur edhe nga përfshirja e një fëmije në një tubim zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, e që për këtë rast, janë dorëzuar dy ankesa në PZAP. Që nga fillim i fushatës po thuajse në të gjitha tubimet e partive kanë marrin pjesë e janë ekspozuar fëmijët
Përfshirja e të miturve në fushatën zgjedhore dhe shfrytëzimi i tyre për përfitime politike janë kritikuar të hënën, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Një ditë më parë, në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, me ftesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në skenë është ngjitur një fëmijë, i cili ka recituar një poezi me përmbajtje politike dhe më pas ka nxitur brohoritjet në sallë në mbështetje të Kurtit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNga ky segment i tubimit janë shkëputur dhe shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale video të ndryshme, shumica prej tyre me karakter tallës.
Sipas psikologut klinik, Ilir Havolli, ekspozimi i fëmijëve në fushatë mund të lërë pasoja afatgjata në zhvillimin e tyre psikosocial.
Ai thotë se pjesëmarrja e fëmijëve në tubime politike, veçanërisht në skenë apo në foltore, mund t’i bëjë ata objekt bullizimi.
“Faktikisht te këta fëmijë kjo mund të ndikojë në zhvillimin e tyre emocional dhe mund të lë pasoja afatgjata, duke pasur parasysh ndjenjën e turpit apo të fajit, kur e kuptojnë që mësuesit, shokët apo të tjerët e përdorin këtë individ si objekt talljeje. Pastaj kemi uljen e vetëvlerësimit te këta fëmijë, pastaj e kemi ndjenjën e konfuzionit kur e kuptojnë se ata janë përdorur nga të rriturit”, ka thënë Havolli.
Për rastin ka reaguar edhe Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).
Nga KOMF-i u është bërë thirrje partive politike të shmangin përdorimin dhe ekspozimin e fëmijëve gjatë fushatës zgjedhore.
“KOMF-i i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe, në çdo rast kur konstatohet përfshirja ose shfrytëzimi i fëmijëve në fushatë zgjedhore, të ndërmarrë veprimet dhe masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi. Njëkohësisht, KOMF u bën thirrje prindërve që të mos i ekspozojnë fëmijët ndaj aktiviteteve politike dhe të mos i përfshijnë ata në asnjë formë në fushatë elektorale, përfshirë pjesëmarrjen në tubime, aktivitete promovuese apo ngjarje të organizuara nga partitë politike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KOMF-it.
E kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se përdorimi i fëmijëve në fushata është shndërruar në praktikë të zakonshme të partive politike.
Sipas tij, kjo përbën shkelje të të drejtave të fëmijëve.
“Tek ne politikanët nuk kanë skrupull moral që të kenë njëfarë përgjegjësie pse e keqpërdor një fëmijë, do të thotë, përgjegjësia është ekskluzivisht e prindërve që lejojnë ta vendosin fëmijën për një publicitet të çastit, që pastaj ka pasoja të mëvonshme. Ajo padyshim që është shkelje, padyshim që është keq, padyshim që kjo reflektohet më vonë edhe tek ai fëmijë”, ka thënë ai.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, ka theksuar se rasti i Vushtrrisë përbën shkelje edhe të rregullave të fushatës.
“Megjithatë kulmi ishte në ditën e djeshme kur në Vushtrri u shpërfaq në masë të madhe dhe është bërë madje virale disa video që janë publikuar dhe ky lloj përdorimi kaq i hapur dhe që ne e cilësojmë kaq flagrantë në kundërshtim me rregullat zgjedhore të një fëmije që nuk e ka vendin aty në binë të tubimit publik”, ka thënë Bugaqku.
Për tubimin e Vetëvendosjes në Vushtrri, ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kanë dërguar Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lidhja Demokratike.
Por edhe po thuajse në të gjitha tubimet e LDK-së, ashtu sikurse edhe të partive të tjera janë ekspozuar fëmijët.
Foto të fëmijëve në fushatë ka publikuar edhe kandidatja e këtij subjekti për presidente Vjosa Osmani.
Rregullorja e KQZ-së për Fushatën Zgjedhore ndalon angazhimin dhe pjesëmarrjen në fushatë të fëmijëve nën moshën 15-vjeçare.