Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGruda për Byronë: Fore e lodhët e LVV-së
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se është “fore e lodhët” e Lëvizjes Vetëvendosje, Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Në Debatin për Drejtësinë në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, Gruda është shprehur se nga përfundimi i zgjedhjeve të shkurtit kur edhe janë konstituuar institucionet e deri tani në shpërndarjen e Kuvendit, ka mundur të bëhet kjo Byro, mirëpo sipas tij LVV-ja nuk ka dashur ta bëjë.
Gruda është shprehur se në parim, nuk bëhet fjalë për konfiskim të pasurisë.
“Ne e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe e kemi fituar rastin, e kemi ndaluar të bëhet ashtu siç kanë dashur ta bëjnë që ka qenë organ represiv dhe ka shkuar në Komisionin e Venecias. Ky Komision ka thënë se mund të bëhet kjo byro me këto kritere: nuk konfiskon pasuri, bën hulumtim, ia dërgon gjykatës pastaj gjykata vendosë. Ministrja e Drejtësisë edhe vetë ka thënë në komisionin ku kam qenë e në Kuvend që Byroja nuk konfiskon, ka ardhë në përputhje me standardet e Venecias por kanë mbetur çështje të paadresuara, ata nuk kanë dashur t’i adresojnë ne pastaj votuam kundër. LVV-ja nuk dëshiron ta bëjë sepse ka pasur mundësi nga shkurti e deri tani. Ato janë ‘fore të lodhëta’”, ka thënë Gruda.
Kandidati i PDK-së për deputet ka potencuar gjithashtu se Lëvizjes Vetëvendosje i konvenon më shumë të mos e bëjë themelimin e kësaj Byroje sepse pasi të bëhet “qytetarët do ta shohin se nuk është asgjë, ajo nuk konfiskon pasuri”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur dy herë të antikushtetues Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në vendimin e parë të vitit 2024, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji dhe duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve e ka shpallur Ligjin për Byronë Shtetërore të pavlefshëm në tërësinë e tij.
Ndërsa, në janar të këtij viti, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi ka bërë shkelje të rregullave kur e ka kaluar këtë ligj.
Me këtë ligj synohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ketë dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Para një muaji, Kuvendi e miratoi në parim projektligjin për Byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë.
81 deputetë votuan pro këtij projektligji, me 25 që abstenuan.
PDK-ja e LDK-ja kanë kërkuar ndryshime në projektligj duke theksuar se vetëm me ndryshimet e propozuara do ta votojnë më tutje.
PDK-ja ka kërkuar debat publik për këtë ligj dhe gjithashtu kishte cituar vërejtjen e Gjykatës Kushtetuese se brenda këtij ligji nuk mund të lihen çështje për t’i rregulluar me akte nënligjore. Gjithashtu është cekur edhe mungesa e një mekanizmi efikas te kompensimit që nëse një personit që i bllokohet pasuria del se nuk ka pasur pasuri të pajustifikuar.
PDK-ja ka përmendur edhe që ligji e ka emrin Ligji për verifikimin dhe konfiskimin dhe nuk i përshtatet përmbajtjes, pasi byroja nuk konfiskon prandaj edhe nuk mund ta ketë emrin kësisoj.
Krasniqi: Opozita ndihet e intimiduar nga Kurti
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka thënë se partitë opozitare ndihen të intimiduara nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Krasniqi ka thënë se një opozitë që ndihet e intimiduar, nuk mund të quhet opozitë.
Ai ka thënë se Byroja për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme është mjet politik për linçime e kontrollim. Krasniqi ka thënë se LDK-ja e ka votuar këtë dhe se do ta votojnë edhe partitë tjera opozitare, pasi ndihen të intimiduara nga Kurti.
“Ato ndihen të intimiduara prej Kurtit, pasi ndihen se nëse nuk e pranojnë atëherë Kurti do të thotë se keni çfarë me fsheh pasuri të pajustifikueshme dhe po është arsyeja pse s’po pranohet”, ka thënë Krasniqi në “Zgjedhjet në Kohë”.
Ai ka thënë se është e pamundur të luftohet “autoritarizmi, nëse gjatë gjithë kohës tregohen shenja gatishmërie për koalicion me të”.
Krasniqi ka thënë se problemi që ka Kosova sot është se mungon legjitimiteti opozitar.
“Ti del ankohesh, se 5 vjet kryeministri e ka kap shtetin, e ti 5 vjet e ke pasur Vjosa Osmanin presidente që ka ndenjur me Kurtin deri në fund. E krejt në fund i ka thënë se kisha dashur të ri prapë me bashkëpunu me ju. Kur del LDK-ja ose Osmani e flasin për sistemin e kapur të drejtësisë, automatikisht qytetari thotë mirë pasi qenka kështu me tendenca autoritare, pse ke dashur të bashkëpunosh me të. Kjo po ia humb legjitimitetin opozitës dhe po e bën inekzistente”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se Vjosa Osmani nuk e ka dekretuar kryeprokurorin e shtetit për 4 vjet e më tepër, duke i shkuar për shtati Kurtit.
“4 vjet kemi qenë pa kryeprokuror, fiks 4 vjet me ushtrues detyre e ende jemi. A e dini pse? Pasi Kurti ka dal e ka thënë se ‘filan fisteku, ti kurrë s’ki me u bë kryeprokuror’ dhe presidentja i ka ndenjur pas deklaratës së Kurtit dhe nuk ja ka dekretuar për fiks 4 vjet, edhe sot e kësaj dite jemi pa kryeprokuror”, tha Krasniqi.
Ai po ashtu tha se Partia Demokratike e Kosovës vazhdimisht kritikon Kurtin se po tenton t’i kontrollojë gjitha institucionet, të bëjë autokraci, e në fund nuk vendos vija të kuqe për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Madje një person ka shkuar më larg, përfaqësuesi i PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar publikisht se ‘do t’ia bëjmë kuorumin për president pas zgjedhjeve, sepse nuk do ta lëmë vendin me shku në kriza”.
Hasanpapaj për VV-në: Byroja është politike për linçim, është bërë politikë me drejtësinë
Bardhyl Hasanpapaj, kandidat për deputet nga lista e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se gjatë afro gjashtë vjetëve në pushtet vetëm e ka bllokuar dhe sulmuar sistemin gjyqësor.
Hasanpapaj ka komentuar edhe Byronë për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme, duke thënë se ajo është politike dhe se synim ka vetëm linçimin dhe sulmin.
“Ajo Byro për konfiskim është byro për linçim. Pesë vjet ngërç, pesë vjet stagnim, bllokim, sulm ndaj drejtësisë, sistemit gjyqësor. E pesë vjet justifikim. Krejt çka kanë bërë janë justifikuar. E kanë hartuar ligje siç duket me qëllim të këqija, me idenë që shkojnë në Gjykatë Kushtetuese, e qartazi rrëzohen”, ka thënë Hasanpapaj në “Zgjedhjet në KOHË”.
Ai ka thënë se partia në pushtet ka bërë politikë me drejtësinë, duke e sulmuar vazhdimisht.
“Është çështje politike, pra nëse e dobëson, shkatërron e etiketon, pastaj zhvillon mekanizma informal me i kontrollu”, tha ai.
Sa i përket Byrosë ai ka krahasuar atë me komitete të Shqipërisë në kohën e komunizmit.
“Ajo byro është politike. Është sistem i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ajo byro për konfiskim është byro politike për linçim dhe sulm”, tha Hasanpapaj.
Ai ka thënë se LDK-ja në programin e saj e ka që “drejtësia të zhvillohet e pavarur, duke i ofruar mekanizma të mjaftueshëm për të qenë e pavarur”.