Nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, edhe pse jo me dëshirë të madhe, kanë ardhur për të vazhduar mësimin edhe një javë tjetër.
Ata thonë se të gjitha mësimet i kanë përfunduar, por për shkak të vendimit, janë detyruar të vijnë në shkollë.
Zëvendësdrejtori i shkollës ka thënë se mësimi ka filluar në kohë dhe se të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit janë paraqitur me kohë në ambientet shkollore.
Pavarësisht vendimit të Ministrisë së Arsimit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, disa shkolla në Kosovë nuk e kanë përfillur atë, por për dallim nga kjo, në shkollën fillore “Ismail Qemali”, e cila gjendet në kryeqytet, nuk ka mundur të zhvillohet procesi mësimor, jo për shkak të mungesës së mësimdhënësve, por për shkak të mungesës së nxënësve.
E kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se pjesa më e madhe e shkollave në Kosovë nuk e kanë vazhduar procesin mësimor.
Kohavisioni ka kontaktuar zyrtarë të Ministrisë së Arsimit lidhur me atë nëse do të merret ndonjë masë për shkollat që nuk e zbatojnë vendimin, por ata nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës.
Ministria e Arsimit kishte marrë vendim për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës 3-javëshe nga mësimdhënësit për shkak të pakënaqësive me koeficientët e pagave.